Kreditë e zyrtarëve të lartë

07/02/2014 00:00

Njësia task forcë po verifikon një kallëzim prej gati 100 faqesh të depozituar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për çështjen e kredive të zbutura për zyrtarët e lartë, pak ditë pasi Këshilli i Ministrave shfuqizoi një vendim të qeverisë Berisha për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë, të administratës së lartë shtetërore.

“Ne ende nuk e kemi në dorë auditin e kryer nga kjo ministri, e cila deklaroi për mediat se ka shkelje në proçedurat e ndjekura për kredi. Megjithatë po kryhen verifkimet e nevojshme pas kallëzimit në fjalë”, deklarojnë anëtarë të task forcës.

Aktualisht prokurorisë i është dorëzuar një material me listën e zyrtarëve dhe nëpunësve të administratës, të dyshuar se kanë abuzuar me gjithësej 140 emra, për të cilët pretendohet se kanë përfituar kredi nga shuma 35 milionë deri në 50 milionë pa plotësuar asnjë kriter.

Të gjithë emrat e depozituar nga kallëzuesit janë zyrtarë të cilët kanë përfituar nga kjo skemë për vitet 2009 e në vijim. Nëse gjenden elementë të veprës penale të konsumuar ka shumë gjasa që prokurorët të regjistrojnë pas verifkimit proçedimin penal për mashtrim me kreditë, por ky hap proçeduarial do të hidhet vetëm pasi të ketë një përgjigje nga bankat.

Pak ditë më parë ministrja e Zhvillimit Urban, Englantina Gjermeni u shpreh se auditimi i kryer zbuloi shkelje në dhënien e kredive të lehtësuara për zyrtarët e lartë, të cilëve sipas ministres u janë akorduar kreditë lehtësuese me nivelin maksimal të përfitimit, duke mos bërë asnjë lloj përllogaritjeje.

Në listë ndodhen jo vetëm emra politikanësh, thanë burimet, por edhe në nivel ministrash siç është emri i ish-ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, ish-zv.ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, ish-zv.ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, apo edhe emra gjyqtarësh e prokurorësh të njohur.

Top Channel