PD reagon për “nëpunësin”

06/02/2014 00:00

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso deklaroi se zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzon aktin normativ për nëpunesin civil, e detyron qeverinë që të kthejë në punë të gjithë personat e larguar që nga data 1 Tetor 2013.

Sipas tij, ky vendim provoi antikushtetuetshmërinë për të cilën PD ka reaguar gjatë këtyre muajve.

“Në momentin në të cilin vendimi do të marrë fuqi juridike, pra në momentin kur do të publikohet në fletoren zyrtare, të gjithë ata nëpunës civil që gëzonin statusin civil për shkak të parashikimit të ligjit të vjetër ose ata punonjës që ishin rekrutuar në bazë të procedurave të rekrutimit dhe kishin më shumë se një vit eksperiencë në administratë publike, për efekt të ligjit gëzojnë të gjithë mbrojtjen ligjore të ligjit të ri”, deklaroi zoti Kaso.

“Jemi në kushtet ku vetë administrate shtetërore, ashtu siç e kemi paralajmëruar që në krye të herës në opozitë, do të marrë masa për rikthimin e të gjithë këtyre punonjësve, të cilët janë larguar padrejtësisht nga vendi i tyre i punës. Në rast se institucionet shtetërore mbyllin sytë përpara kësaj armate të madhe që janë 2-4 mijë nëpunës civil që janë larguar padrejtësisht, atëherë është gjykata ajo që do të bëjë drejtësi, natyrisht kjo e shoqëruar edhe me një faturë financiare, pasi do të paguhen për çdo ditë në të cilën ata nuk janë në vendin e tyre të punës për shkak të veprimeve të paligjshme në administratë”, shtoi përfaqësuesi juridik i Partisë Demokratike.

Top Channel