Konsensus për hetimin në polici

06/02/2014 00:00

Debatet disa orëshe, me argumenta ligjore e më shumë politike, për ngritjen e komisionit hetimor për emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit, u mbyllën me gjetjen e konsensusit mes palëve përmes negociatave.

106 vota pro, 4 kundër dhe 3 abstenim, ka qenë votimi për komisionin, që
do të drejtohet nga opozita dhe do të funksionojë për 2 muaj.

Mazhoranca pranoi ngritjen e komisionit pas riformulimit dhe sjelljes, sipas saj, së kërkesës në kornizat kushtetuese. Hetimi parlamentar do të zgjasë dy muaj dhe do të drejtohet nga opozita.

Në këtë vendim u mbërrit pas konsumimit të një seance tejet të gjatë parlamentare, me diskutime dhe replika, ku spikati sërish ish-kryeministri Berisha.

“Kur shqiptarët shikojnë ish-kryeprokurorin e vendit të shkojë të bëjë avokatinë e një njeriu që vuri minën tjetrit, kjo nuk kapërdihet kollaj. Ky është mision partie, siç ishte njoftimi i dy ndërmjetësve kryesorë të tjerë. Flasin se Berisha tha për tritol në të ndenjurat. U faktua se tritolin në të ndenjurat e vendosi qeveria dhe e porositi Shpëtim Gjika. Nuk jam unë që e them këtë. Shpëtim Gjika ishte i opozitës apo i qeverisë? Po them vetëm çfarë thonë mediat. Çka do të thotë se fijet e krimit i lëviz kryekreu. E thatë ju, e bëtë ju”, deklaroi deputeti Sali Berisha.

“Çdo ditë, njësoj si në të parën, i jepeni rrugës së akuzave, shpifjeve, fyerjeve, gënjeshtrave dhe gjithfarë sajesave, duke u bërë fatkeqësisht, ca me dashje, shumë pa dashje, frymëzues të krimit. Ju duhet ta mbani vath në vesh, gjithsesi, që kjo është një kohë e re. Kjo është koha e prerjes së lidhjes së politikës me krimin dhe rivendosjes së lidhjes së policisë me ligjin. Është koha e një beteje, shteg më shteg dhe hap pas hapi, e shtetit me krimin”, tha kryeministri i vendit, Edi Rama.

Ndryshe nga seancat e mëparshme të kësaj legjislature, ku ish-kryeministrit Berisha i ishte lënë një kohë e pafundme diskutimi, risia këtë herë ishte respektimi i kohës së përcaktuar në rregullore edhe për të.

“Ju e dini konsideratën time për zotin Berisha, por IT-ja të respektojë kohën për çdo diskutues”, tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Komisioni hetimor parlamentar është i pari i kësaj natyre në këtë legjislaturë, ndërsa ndër vite të tilla komisione hetimore, përveç se kanë prodhuar debate politike, nuk kanë pasur asnjë rezultat konkret.

Kuvend, Rama kritikon opozitën
“Po bëhet frymëzim i krimit. Ekonomia po jep shenja jete”

Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri Edi Rama kritikoi opozitën për
qëndrimet e saj, duke e akuzuar se me vetëdije apo pavetëdije po bëhet
frymëzim për rritjen e krimit.

Deklarata e Kryeministrit u bë gjatë punimeve të se enjtes në parlament në debatin e kërkuar nga Partia Demokratike për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për emërimit në Policinë e Shtetit, që sipas opozitës janë në shkelje të ligjeve të vendit.

Rama tha se maxhoranca është e gatshme të dëgjojë opozitën, por jo në kurriz të interesave të vendit.

“Ne do ju dëgjojmë, por do udhëheqim vendin në rrugën që na kanë zgjedhur shqiptarët duke bërë detyrat që ata na kanë ngarkuar. Harroni që do të mund të mbani peng të interesave tuaja ekonomike këtë vend, harroni që do të mbani peng me mëkatet tuaja në pushtet, drejtësinë në këtë vend”, tha Rama.

Kryeministri akuzoi opozitën se manipulon opinionin publik me të dhënat e kriminalitetit në vend, duke i rritur ato.

Duke u ndalur tek ekonomia Kryeministri përmendi taksën progresive, që sipas tij ka nisur të japë frutet e saj, ndërsa për ekonominë, Rama tha se ajo po jep shenjat e rritjes.

“Ekonomia ka nisur të japë shenjat e para të jetës pas një periudhe të gjatë vdekjeje kronike që hyri për shkak të një cmendurie elektorale dhe të një verbërie lapidare. Shkurti ka nisur me më shumë para në xhep për të gjithë rrogtarët në publik apo privat”, tha Rama.

Rama tha se qeveria është e vendosur që të shkatërrojë krimin ekonomik.

“Lufta jonë me krimin është një luftë me kriminelët dhe me rrjetën kriminale që gjithë struktura e kriminalizimit të ekonomisë që u rrit në 8 vite në sistem ka lënë aty pas ikjes tuaj nga pushtetit dhe po ashtu, aq edhe një luftë kundër varfërisë dhe papunësisë për të rritur ekonominë”, deklaroi Kryeministri.

Hetimi i emërimeve në Policinë e Shtetit

Kërkesa e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për emërimet dhe shkarkimet në Policinë e Shtetit, ka mbajtur të mbledhur për orë të tëra Kuvendin në seancën parlamentare.

Maxhoranca kundërshtoi si të paligjshëm komisionin, në kushtet e mungesës së një precedenti të mëparshëm për hetimet e emërimeve të ekzekutivit në polici, bashkangjitur kësaj edhe argumentin se në gjykatë ka procese të hapura nga ish-drejtuesit e policisë.

Sali Berisha, deputet i PD-së: Cili është konkluzioni i partnerëve tanë këto 4 muaj? Ua them unë, janë dy, e para Policia e Shtetit nuk ekziston, është shndërruar në ministri dhe e dyta se policia ka marrë në patronazh drogën. Këto të dyja janë konkluzionet. Pra ne këto donim të hetonim. Të faktonim që ky zotëri me gjithë këto lidhje të tmerrshme krimi, vazhdon t’i mbajë e ushqejë akoma to, apo ka vendosur të punojë për ligjin.

Edi Rama: Ju duhet ta mbani vëth në vesh që kjo është një kohë e re, koha e rilindjes së Policisë së Shtetit, e rikthimit të shtetit në krye të detyrës, të detyrës së vet më kryesore për të siguruar rendin dhe lirinë e cdo qytetari. Është koha e prerjes së trafikut dhe krimit dhe e vendosjes së lidhjes së policisë me ligjin”.

Top Channel