Koncensionaret e energjitikës, debate në Kuvend

06/02/2014 00:00

Parlamenti u përfshi nga debate të ashpra për marrëveshjet koncesionare,
të cilat detyrojnë KESH-in t’jua blejë hidrocentraleve private
energjinë me çmime më të larta se tregu. 

“Shqiptarët, për shkak të kontratave që ti ke dhënë, duhet të paguanin për energji rreth 40 milionë euro më tepër. Ti ke parimin: Hajde merre koncension ose reflekto në çmim dhe pastaj e ka fajin Qeveria nuk duhet të ngrihet çmimi”, tha ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.

“Çmimet energjetike të koncensioneve janë që të gjitha të përfshirë në çmimin e energjisë nga ERE”, u shpreh deputeti demokrat, Sali Berisha.

“Ato hidrocentrale kanë çmim të fiskuar. Qeveria është detyruar ta blejë me një çmim fiks, madje më të lartë se sa çmimi i tregut energjinë e hidrocentraleve dhe përsa kohë që tregu është i mbyllur dhe nuk eksporton dot, detyrimisht që kjo e fut në kolaps buxhetin”, u shpreh zëvendëskryeministri, Niko Peleshi.

“U shisni shqiptarëve mashtrime të turpshme, pse doni të rrisni çmimin. Linjat përballojnë plotësisht 15 milionë, po deshe”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Berisha tha se Qeveria po sulmon koncesionet për të justifikuar ndërhyrjet në çmimin e energjisë, gjë për të cilën mori përgjigje nga ministri Gjinkuri.

“Pas vendosjes së faturës aforfe këta duan të rrisin me çdo kusht çmimin e energjisë sepse këta janë absolutisht vetëm shokët e klientelës dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarët. Duhen me çdo kusht që koncensionarëve t’jua ndryshojnë çmimin e blerjes të cilën ua ka përcaktuar ERE, në përputhje me standardet e qarta ndërkombëtare”, tha Berisha.

“Qeveria do të ndjekë gjithë politikat e nevojshme, qoftë edhe ato fiskale. Çfarëdolloj ristrukturimi që mund të ketë në çmim nuk do të prekë faturën e qytetarit”, tha Gjiknuri.

Socialistët e akuzojnë ish-Kryeministrin si shkaktarin kryesor të krizës ku është zhytur sistemi, që sipas tyre ka edhe elementë penalë.

“Po a mban përgjegjësi ky zotëria ndonjëherë për gjithcka bërë në sistemin elektroenergjitik apo jo? Po flas për përgjegjësi morale këtu, sepse nëse ka një përgjegjësi që duhet t’i kërkohet atij njeriu është përgjegjësia penale. Së pari për privatizimin e CEZ-it, një privatizim totalisht politik, një privatizim që nuk u mbështet kërkundi në ligj, në mënyrë të turpshme. Mua më kanë mërzitur paratë e qytetarëve shqiptarë ku keni futur dorën dhe po ia merrni vit për vit dhe do t’i merrni edhe për vite të tjera sepse ne na kërkoni t’i zbatojmë kontratat tuaja korruptive”, tha deputeti socialist, Erjon Braçe.

Maxhoranca deklaroi se po punon për të nxjerrë sektorin nga kriza duke sjellë si argument përmirësimin e treguesve të CEZ-it, sipas tyre, deri në 45 për qind krahasuar me nëntorin. 

Top Channel