Qeveria shqiptare synon të rrisë numrin e investimeve italiane që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Aktualisht vendi ynë numëron rreth 400 biznese italiane aktive, por sipas kryetarit të grupit të deputetëve për thithjen e investimeve italiane, Artan Gaci, kjo shifër pritet të rritet.

“Kemi grupe të interesuara për prodhimin e pajisjeve elektronike. Disa kompani do të spostojnë bazat e tyre nga Rumania dhe Bullgaria dhe brenda vitit mendohet t’i sjellin Shqipëri. Gjithashtu, ka grupe të interesuara për investime në linjën e transportit hekurudhor, për prodhimin e linjave të shpejta”, deklaron Gaci.

Deputeti socialist thotë se për thithjen e këtyre investimeve do të ofrohen objekte ekzistuese që mund të përdoren prej tyre për një euro.

“Është ndërhyrja me stimulime, siç është rasti i dhënies së pronave me 1 euro, ndërmarrjeve industriale të papërdorura, etj, për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri”, shton Gaci.

Kështu, në muajin mars pritet hapja e një rrjeti social që do të ketë qendrën në Tiranë dhe që do të punësojë deri në 150 punonjës.

Ndërsa kompania “Bosch” ka shprehur interesin për hapjen e një shkolle profesionale dhe eksplorimin e mundësive të investimit në vendin tonë.

Top Channel