Lidington takon Ramën dhe Metën

05/02/2014 00:00

Në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, David Lidington, ministër i
Shtetit në Mbretërinë e Bashkuar për Çështjet e Europës, zhvilloi një
takim me kryeministrin Edi Rama.

Siç njofton zyra e shtypit në Kryeministri në fokus të takimit ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama e njohu ministrin Lidington me reformat e ndërmarra, duke theksuar se pavarësisht se Shqipëria nuk mori statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor, Qeveria shqiptare mbetet e vendosur në angazhimin e saj për përmbushjen e të gjitha prioriteteve të kërkuara në këtë proces.

“Ministri Lidington vlerësoi shumë këtë qëndrim të shprehur nga Kryeministrit Edi Rama. Ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të qeverisë shqiptare, reformat e ndërmarra prej saj”, thuhet në njoftimin për median.

Zoti Lidington në një tjetër takim me kryetarin e parlamentit Ilir Meta kërkoi forcimin e sundimit të ligjit dhe reforma në drejtësi të cilat sipas tij do të jenë kyçe në këtë drejtim.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe theksoi se Britania e Madhe përfaqëson një partner shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit tonë.

Z. Lidington vuri në dukje gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe rajonit, dhe në këtë kontekst është e gatshme të zgjerojë mbështetjen e saj në avancimin e reformave prioritare të Shqipërisë.

Top Channel