Kodheli pret zyrtarin e lartë të NATO-s

05/02/2014 00:00

Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli ka pritur sot kryetarin e Komitetit Ushtarak në NATO, gjeneral Knud Bartels, i cili në krye të një delegacioni të lartë ushtarak po viziton vendin tonë.

Ministrja Kodheli vlerësoi se kjo vizitë është një tregues i qartë i marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe NATO-s dhe e vullnetit të ndërsjellë për t’i forcuar ato edhe më tej në të ardhmen.

Në vijim të takimit, ministrja Kodheli i rikonfirmoi gjeneralit Bartels qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Mbrojtjes për të vazhduar të qënit anëtarë dinjitozë të Aleancës, duke përmbushur detyrimet, duke marrë pjesë dhe kontribuar në misionet dhe operacionet e drejtuara nga NATO.

Gjithashtu, ajo e njohu oficerin e lartë me prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2014, me ecurinë e procesit të reformimit në fushën e mbrojtjes, me çështje të bashkëpunimit rajonal etj.

“Ne jemi krenar jo vetëm për numrin e konsiderueshëm të forcave të dërguara në misione paqeruajtëse, por edhe për cilësinë e tyre, duke kaluar nga forca mbështetëse në forca të angazhimit në luftim dhe forca trajnuese. Në këtë këndvështrim, dëshiroj të theksoj se do të jemi pjesë e pandarë e NATO-s kudo që të lindë nevoja”, deklaroi Kodheli në një konferencë për shtyp pas takimit.

Nga ana tjetër, edhe gjenerali Bartels theksoi se Shqipëria konsiderohet një aleate e çmuar e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe vlerësoi kontributin e saj në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, kryesisht në Irak dhe Afganistan.

Top Channel