Shtohen zërat e profesorëve të Univeristetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët kërkojnë dorëheqjen e rektorit Gashi.
Ata thonë se stafi akademik ka përgjegjësi morale dhe profesionale për të shprehur mendimin dhe qëndrimin për katandisjen në këtë gjendje të universitetit, bashkë me studentët e këtij institucioni.
“Nuk mund të adresohet problemi, nëse Rektori dëshiron të shndërrohet në kamikaz dhe dëshiron që tërë UP-në ta marrë me vete dhe ta shkatërrojë. UP-ja është përmbi një Rektor, është përmbi një proferor të Matematikës. Ai është institucion, i cili ka vlera historike, shoqërore e shkencore dhe ne nuk mund ta lejojmë të fundoset. Rektori mund të fundoset, sepse tashmë ai veç është fundosur, por jo edhe UP-në”, shprehet Prof. Assoc. Dr. Qendrim Gashi, në Universitetin e Prishtinës.
Më tej, z. Gashi thekson se e keqja më e madhe në këtë rast është mungesa e masave ndaj profesorëve që bëjnë shkelje, madje duke marrë edhe tituj akademikë të rremë.
“Është e turpshme që na ndodh neve, që Rektorin e kemi mashtrues në nivelin akademik, por është edhe më e turpshme, që ai ende nuk është larguar nga pozita e tij, nga këshilli drejtues i universitetit tonë”, shtoi Qendrim Gashi.
Ndërkohë, profesori Arben Hajrullahu shprehet i shqetësuar, pasi – sipas tij – zhvillimet e fundit po bëjnë që të humbasë besimi në punën e profesorëve të denjë, por dhe imazhi i UP-së. Në këtë rast, sipas tij, është absurde të kërkohen numra për dorëheqje të Rektorit.
“Është absurdi i llojit të vet, që të kërkohet një numër më i madh apo më i vogël. Kjo nuk është çështje numrash. Këtu është dëshmuar që ka ndodhur keqbërja, këtu kemi të bëjmë me një manipulim të dëshmuar dhe kjo mjafton”, tha Prof. Assoc. Dr. Arben Hajrullahu, në Universitetin e Prishtinës.
Prezencën policore dhe dhunën ndaj studentëve protestues e quan shkelje të të drejtave të njeriut, ndërkohë thekson se UP ka nevojë për mbështetje dhe shkencë, por jo edhe për keqbërës dhe polici.
“Shumica e profesorëve, të cilët janë të ndershëm e punëtorë, po ashtu dhe studentët, janë kundër keqbërësve. Mirëpo, ne nuk duhet të harrojmë edhe kërcënimet publike të bëra nga stafi drejtues, po ashtu edhe nga vet Ibrahim Gashi, kundër të gjithë atyre që kanë marrë guximin e kurajon, që të deklarohen dhe të shprehin mendimin e tyre, të lirë e në mënyrë publike”, shtoi Arben Hajrullahu.
Teksa protestat pritet të vazhdojnë, profesorët thonë se është koha e fundit, që stafi drejtues të reflektojë. E vetmja zgjidhje mbetet një konkurs i hapur, i cili do të bënte vlerësimin e titujve akademikë të secilit profesor.
Protestat e studentëve dhe profesorëve kundër Rektorit të universitetit nisën pasi publiku mësoi prej shtypit dhe mediave, për skandalet në të cilat ishin përfshirë profesorë universitarë dhe vetë Rektori i UP. Ky i fundit ka fituar gradë akademike, duke publikuar punime shkencore në një revistë të rreme indiane, për çka dhe kërkohet dorëheqja e tij.
Top Channel