PD: Po përgatitet skenari ukrainas

04/02/2014 00:00

Partia Demokratike akuzon maxhorancën se po e fut vendin në një spirale
të shkatërrimit të demokracisë dhe se po nxit skenarin ukrainas.

Përmes deputetit Eduart Halimi, PD thekson se Qeveria është bërë njësh me krimin dhe se situata është emergjente.

“Mazhoranca Rama-Meta po hedh në erë demokracinë parlamentare në vend, duke rrëzuar për herë të dytë kërkesën e opozitës për komision hetimor. Rama dhe Meta manifestuan arsyen pse nuk duan të japin llogari për emërimet në Policinë e Shtetit, sepse ata janë të lidhur me krimin dhe qëndrojnë pas krimit, që është instaluar sot në zemrën e Policisë së Shtetit. Është ndezur llampa e emergjencës për rrezikun që i kanoset shtetit ligjor dhe demokracisë tonë. Nëse i heqin parlamentit arsyen kryesore të ekzistencës së tij, që është kontrolli ndaj Qeverisë, atëherë parlament nuk do të ketë.Nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Po e fusin vendin në një spirale të shkatërrimit të demokracisë dhe nxitjes së konfliktit. Me këto akte Rama dhe Meta po largojnë Shqipërinë çdo ditë nga Europa, dhe po nxisin skenarin ukrainas.Opozita nuk e dëshiron këtë, dhe kjo nuk është zgjedhja jonë, por ne nuk do të qëndrojmë duarkryq para këtij skenari ogurzi për vendin”, tha Halimi.

Top Channel