Lidington: Po integrimit të Shqipërisë

04/02/2014 00:00

Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Çështjet Evropiane, David Lidington tha pasditen e së martës në Tiranë se vendi i tij mbështet integrimin e Shqipërisë dhe se do të ndihmojë në reformat që i janë caktuar nga ndërkombëtarët.

Në takimin me ministren e Integrimit Klajda Gjosha, zoti Lindigton vlerësoi angazhimin që ka pasur Shqipëria për të kryer reformat e domosdoshme, sipas tij, në forcimin e shtetit të së drejtës në gjyqësor dhe në zbatimin e të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, ministrja Gjosha tha se qeveria po përgatit një plan masash për 5 prioritetet e lëna nga BE, që do të prezantohen në dialogun e nivelit të lartë në ditët në vazhdim. Ndërkohë, zyrtari i lartë britanik u takua edhe me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Sipas zotit Bushati, ndihma që Shqipëria ka marrë nga Mbretëria e Bashkuar ka qenë mjaft e rëndësishme në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën ndaj trafiqeve dhe korrupsionit, si dhe shprehu angazhimin konkret të qeverisë shqiptare për frenimin e emigracionit klandestin në Britaninë e Madhe, duke u ndalur në bashkëpunimin e fundit të suksesshëm në fushën e doganave.

Top Channel