Rama përuron Zyrën e Punës në Durrës

03/02/2014 00:00

Është rikthyer vetëm një jave pasi i kishte konsideruar të papranueshme kushtet e Zyrës së Punës në Durrës. Kryeministri Edi Rama përuroi në këtë qytet zyrën e re, ku kontributorë janë edhe bizneset private dhe dhomat e tregtisë, partneriteti me të cilat, tha shefi i qeverisë do të jetë i gjatë.

Sipërmarrja do të shihet edhe si aktor social, pasi punësimi është sfidë dhe prioritetet i kësaj qeverisjeje, deklaroi ai.

“Ne kemi përcaktuar si prioritet hapjen  e zyrave të punës, në të gjithë këtë periudhë të parë të qeverisjes sonë, jo thjesht për të organizuar në kushte tërësisht të ndryshme pritjen e punëkërkuesve, por për të realizuar atë që është në fund të fundit, objektivi i tyre që të gjejnë një punë”, tha Kryeministri.

Zyrat e Punës, tha Rama, do t’i shërbejë tejkalimit të një dobësie të tregut, që përbën faktor themelor në tre aspekte, luftën me varfërinë, aktivizimin burimeve njerëzore dhe zhvillimin e vetë tregut të punës.

“Zyrat e punës do të jenë drejtpërdrejt kontribuuese në të tria këto aspekte, në qasjen dhe përmirësimin ndaj të tria këtyre aspekteve”, deklaroi Rama.

Duke e konsideruar vetëm fillimin dhe duke garantuar jo vetëm hapjen e zyrave të reja të punës në cdo qytetet të vendit, Rama tha se synimi është që cdo qytetar i papunë të gjejë një të tillë në këto sportele.

“Sfida jonë për punësimin është një sfidë e jashtëzakonshme, por është një sfidë që ne jemi të bindur se do ta fitojmë. Dhe do ta fitojmë jo duke e kthyer shtetin në punëdhënësin më të madh, por duke e vendosur qeverinë në dispozicion të punëdhënësve dhe të punëkërkuesve dhe duke arritur të krijojmë përmes këtyre pikëtakimeve dhe përmes politikave shumë të qarta të stimulimit të investimeve që sjellin punësim, të mekanizmave që sjellin punësim, të ndërveprimeve që sjellin punësim, kushtet që cilido që sot ka diçka për të ofruar për të marrë një vend pune, të ketë mundësinë që ta gjejë këtë vend pune”, u shpreh kreu i qeverisë.

Në qytetin bregdetar kreu i qeverisë u ndal në një kompani Call Center e cila ka hapur 200 vende pune. Ambasadori italian Gaiani, shprehu nevojën e përhapjes së gjuhës italiane ndër brezat e rinj.

“Me këtë trend dhe këtë interes që ekziston nga pala italiane për të zhvilluar sistemin e call center, është një parashikim prej rreth 12 mijë vende pune të reja, atëherë duhet të konsiderojmë futjen e gjuhës italiane në sistemin e shkollës profesionale”, tha Rama.

Në Durrës kreu i qeverisë inspektoi edhe fazën e dytë të punimeve për ndërtimin e bypass-it të Durrësit, një investim me vlerë 8 milionë euro, financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim, punimet për të cilin kanë nisur në janar të këtij viti dhe pritet të përfundojnë në qershor të 2014-s.

“Gjëja që ne e kemi shqetësim është që duhet me i dhënë intensitet maksimal punës, dhe këta duhet të vishen me kostum dhe me kaska jo vetëm kur vjen Ministri me Kryeministrin, por duhet të vishen me kostum e me kaska ditën dhe natën dhe duhet të punojnë në mënyrë sistematike në bazë të kontratave”, tha Kryeministri.

Projekti i bypass-it të Durrësit parashikon ndërtimin e mbikalimit në rreth rrotullimin e Shkozetit, që lidh atë me autostradën Tiranë – Durrës, si dhe ndërtimin e kolektorit të grumbullimit të ujërave në zonën e Plepave.

Top Channel