PD, kundër reformës në SHISH

02/02/2014 00:00

Kreu i opozitës, njëkohësisht kryetari Bashkisë së Tiranës ka akuzuar qeverinë Rama se po ndjek  një kurs anti-demokratik  dhe po shkel parimet e shtetit ligjor duke goditur institucionet e pavaruara, sic po ndodh me Shërbimin Informativ Shtetëror.

“Në raport me çdo institucion të pavarur, kjo mazhorancë po fakton brenda një kohe shumë të shkurtër që nuk njeh konceptet bazë të funksionimit të shtetit ligjor, respektimit të institucioneve të pavarura dhe në çdo hap kur mazhoranca i kundërvihet kushtetutës, ligjit, institucioneve të pavarura, do të ketë përballë një opozitë të vendosur për të bërë pikërisht atë që dëgjuat edhe dje nga funksionarët e lartë amerikanë, rolin e saj në mbrojtje të institucioneve të pavarura, në mbrojtje të kushtetutës, në mbrojtje të ligjit”, deklaroi Basha

Kreu i PD-së e ka përkthyer si alarm  edhe për Shqipërinë deklaratën e Departamentit të Shtetit referuar vendeve të Ballkanit për kapje të institucioneve dhe blerje të pushtetit.

“Nuk mund të mos ndalem tek shqetësimi i shprehur nga kreu i diplomacisë amerikane, Kerry, në konferencën e Sigurisë në Mynih, për atë që e theksoi si një trend të kapjes së institucioneve, blerjes së pushtetit dhe të vënies së mediave nën kontroll, përmes mjeteve financiare. Është një alarm që qeveria amerikane ka ngritur tashmë për Ballkanin në tërësi por ku pa dyshim, Shqipëria dhe realiteti shqiptar janë pjesë e këtij shqetësimi. Këtë shqetësim opozita e ka ngritur dhe po e ngre me forcë prej kohësh, që ka të bëjë me shitblerjen e votës, ka të bëjë me tjetërsimin e institucioneve në kundërshtim me ligjin, ka të bëjë me presionet ndaj gjyqësorit dhe ndaj institucioneve të pavarura”, tha kreu i opozitës.

Këto deklarata Basha i bëri gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e  shkollës  “Ahmet Gashi” në Laprakë ku janë investuar rreth 290 milion lekë.

Top Channel