“Nishani, pozicionim politik”

02/02/2014 00:00

Partia Socialiste e cilësoi “pozicionim politik dhe një rast të paprecedent”, reagimin e Presidentit Bujar Nishani, pas rrëzimit në Parlament të dy dekreteve të tij për Gjykatën e Lartë. Deputetja Ermonela Felaj deklaroi se shqyrtimi i këtyre dekreteve u bë bazuar në Kushtetutë, ligj dhe në rregulloren e Kuvendit.

“Ndryshe nga rastet e tjera, kur dekretet e Presidentit të Republikës për emërimet në organet kushtetuese liheshin për muaj a vite pa u shqyrtuar, apo pa u shqyrtuar kurrë, menjëherë sapo dy dekretet u përcollën në rrugë zyrtare, Kuvendi ka ndjekur gërmë për gërmë parashikimet ligjore për trajtimin e tyre. Termat e përdorura nga Presidenti, si truk procedurial, nuk e cënojnë një proces të tillë, të kryer në zbatim të Kushtetutës edhe ligjeve të vendit. Është rast i paprecedent, kur një President i Republikës, përmes një deklarate të politizuar, vë në diskutim vendimmarrjen e Kuvendit, i cili si i vetmi përfaqësues i vullnetit të popullit është në ushtrim të plotë të së drejtës së tij kushtetuese, për të dhënë pëlqimin, ose për të rrëzuar dekretet e Presidentit të Republikës”, u shpreh deputetja e PS-së, Ermonela Felaj.

Top Channel