Rusi, vodka “bën kërdinë”

31/01/2014 08:30

Vdekshmëria e lartë në Rusi i detyrohet pjesërisht konsumit të lartë të alkoolit, veçanërisht vodkës, tregoi një studim shkencor i publikuar ditën e premte.

Revista e mirënjohur “Lancet” shkruante gjatë ditës se 25% e meshkujve rusë ndërrojnë jetë përpara moshës 55-vjeçare për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga alkooli.

Një mesatare e tillë e frikshme tejkalon edhe atë të vendeve të tjera perëndimore ku konsumi i alkoolit është masiv.

Në përqasje, Britania e Madhe njeh vetëm 7% vdekje në meshkujt nën 55 vjeç për shkak të alkoolit.

Për shkak të vodkës së gjithpërhapur, shkaku kryesor i vdekjeve janë sëmundjes e mëlçisë, helmimi nga alkooli apo aksidentet e ndodhur në gjendje të dehur.

Studimi i publikuar në revistën e mirënjohur shkencore besohet që është më i gjëri i realizuar në llojin e tij në Rusi.

Organizata Botërore e Kërkimeve të Kancerit, me qendër në Francë, hetoi vijëmsinë e konsumit të alkoolit nga 151 mijë shtetas rusë, të tre qyteteve të mëdha, në një hark kohor 10-vjeçar.

Gjatë kësaj kohe, 8 mijë prej tyre ndërruan jetë, ndërsa në anketim morën pjesë edhe 49 mijë familjarë që kishin humbur të afërmit e tyre për shkak të alkoolit.

Në vitin 1985, ish-lideri sovjetik Mikhail Gorbachev uli në mënyrë drastike prodhimin e vodkës dhe urdhëroi që të mos shitej përpara orarit të drekës.

Në vitet e fundit, shteti rus ka rritur në mënyrë të njëanshme çmimin e produktit, si një mënyrë për të parandaluar rritjen e përdorimit, por të gjithë këto masa nuk kanë dhënë shumë rezultat në një popullsi ku vodka është një element i rëndësishëm kulturor.

Alkooli është edhe arsyeja kryesore e jetëgjatësisë së ulët mesatare të popullsisë ruse.

Një mashkull i lindur në 2014-n në Rusi do të ketë një jetëgjatësi mesatare prej 64 vitesh jetë, ndërsa një femër prej 76.

Në Shqipëri, të njëjtat statistika flasin për një jetëgjatësi mesatare prej 74 vitesh për meshkujt dhe 78 për femrat.

Top Channel