
Përmes zëdhënëses, Partia Demokratike denoncoi kërcënimin, që sipas saj, i ka bërë deputeti i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku, deputetes demokrate Jozefina Topalli.
“Partia Demokratike denoncon kërcënimin e drejtpërdrejtë që deputeti i maxhorancës, Mark Frroku i ka bërë dje deputetes, Jozefina Topalli. Pas fjalës që ka mbajtur në parlament, zonja Topalli ka marrë nga deputeti Frroku një mesazh kanosës. Partia Demokratike e konsideron kërcënimin ndaj zonjës Topalli si një shfaqje të asaj që vetë zonja Topalli dhe Partia Demokratike denoncojnë prej kaq kohësh, të futjes në politikë të personave të dyshimtë, të lidhur me aktivitet kriminal. Përpara se sa të shantazhojë një zonjë, deputeti Frroku do të bënte mirë të sqarojë pozicionin e tij me drejtësinë, pasi së fundmi sipas mediave belge rezulton se ai ka ende cështje të hapura me gjykatat në Bruksel për akuza të rënda, si ajo e vrasjes. Partia Demokratike nuk tërhiqet nga qëndrimet dhe denoncimet e saj ndaj politikës së inkriminuar, që ka arritur të depërtojë thellë në parlament, në mesin e deputetëve të shumicës”, thuhet në deklaratën e PD.
Reagon deputeti Mark Frroku
Deputeti Kristian Demokrat Mark Frroku e ka quajtur shpifje deklaratën e zëdhënëses së PD Laura Vorpsi, ku ai akuzohej se ka kërcënuar ish kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Frroku ka publikuar tekstin e mesazhit të dërguar Topallit ku thuhet”:
“Jozi, me informuan per sulmin tend ne Parlament sot. Më erdhi keq që pikerisht ti e bën këtë gjë. Më ke akoma borxhe nga fushatat që kam bërë për ty dhe më vjen keq që gjithë ata burra s’kanë guxim dhe fshihen pas fustanit tënd. Unë s’merrem me gra të përdorura”, publikon SMS-në Frroku.
Është e qartë thotë deputeti, që s’ka asnjë kërcënim, por vetëm habi se si Jozefina shpif kundër meje.
“Kjo fushatë shpifjesh duhet të ndalojë sepse po më dëmton mua dhe vëllain tim që e mbajnë në burg pa asnjë provë, vetëm për shkak të presionit politik nga PD”, përfundon deklarata e Frrokut.
Top Channel