
‘Reforma Institucionale dhe Zhvillimi i Demokracisë në Europën
Juglindore: Zgjerimi i BE-së në praktikë’, ishte tema e aktivitetit të
organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit pranë Komisionit me
përfaqësuesë të shoqërisë civile nga rajoni.
Shqipëria përfaqësohej nga Juliana Hoxha, e cila renditi sfidat që hasin organizatat jofitimprurëse në vend, si mungesa e një legjislacioni të konsoliduar, qasja fiskale apo trajtimi i pandershëm dhe i pabarabartë ndaj tyre për financime shtetërore
“Ajo që mbetet thembra e Akilit për sektorin është kuadri fiskal. Sot për sot, ky sektor në Shqipëri trajtohet si një biznes i mirëfilltë, duke e zhveshur atë totalisht nga impakti social që ka, sidomos në ato grupe që qeveria, shteti, nuk ka mundësi t’i drejtohet. Kjo jo vetëm i shkurton mundësi sektorit për të qënë aktiv, por njëhkohësisht e bën atë dhe shumë të dobët ndaj presionit politik nesër dhe shembuj të tillë në vitet e kaluara i kemi të shumtë sidomos për grupet që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha Juliana Hoxha, drejtore ekzekutive e “Partners Albania”.
Për Komisionin Europian, sfida e Ballkanit është sundimi i ligjit.
“Juliana tha ‘Talk to talk and walk to walk’ – të bëhet siç thuhet, e kjo qëndron. Është e mrekullueshme të bësh strategji të bukura, por merren në konsideratë vetëm nëse zbatohen. Sundimi i ligjit është thelbësor për ne. Le të sigurojmë se ligjet që shkruhen zbatohen siç duhet. Nuk mund të kemi zhvillim ekonomik dhe ekonomi konkuruese në këto vende nëse qeveritë nuk bëjnë atë që duhet të bëjnë, të qeverisin”, thotë Henk Viser, përgjegjës programi, drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit.
Strategjitë kombëtare e rajonale dhe dialogu me shoqërinë civile për to marrin rëndësi në kuadër të Instrumentit të ri të Para -Anëtarësimit (2014 -2020), për të cilin nevojiten kapacitete administrative. Përfaqësuesi i Komisionit sqaroi risitë që sjell IPA II, krahasuar me programin e deritanishëm të mbështetjes financiare të BEsë për vendet e zgjerimit.
” Nuk i diskriminojmë më vendet në kandidate dhe potencialisht kandidate si në të kaluarën, ku komponentët 3,4 dhe 5 nuk ishin të hapura ndaj vendeve potencialisht kandidate, por pasqyroheshin përmbledhurazi në një farë mënyre tek dy komponentet e parë (të IPA I). Këtë e hoqëm, e tashmë gjithçka është e hapur për të gjithë. E siç e përmenda, për ne është e rëndësishme strategjia, politika.. Kjo mbështetje financiare duhet të jetë në përputhje me strategjin e vendit apo vendeve aplikuese në program. Së fundi, fokusi tek rezultatet, që të gjithë i pëlqejnë. Do të shohim se cili vend performon më së miri, e cili më dobët. Pra, nëse vendi juaj shfaqet më mirë në përthithjen e fondeve duke dhënë rezultate, atëherë mund të shpërblehet për performancën në fund”, thotë Viser.
IPA II pritet të miratohet në Mars nga Këshilli i BE-së dhe lajmërimi i parë parashikohet në fund të dhjetorit, për t’u kontraktuar në fund të 2016.
Top Channel