Një ditë pas refuzimit nga Parlamenti të dy kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, presidenti Bujar Nishani ka reaguar nëpërmjet një deklarate me tone kritike në adresë të maxhorancës qeverisëse.

Arsyeja e sjellë nga Komisioni i Ligjeve, sipas të cilit dy kandidatët nuk plotësonin kushtin për të pasur formim specifik në të drejtën administrative, sipas deklartës, është një gjykim i thjeshtëzuar, një arsyetim i pabazuar dhe një justifikim i sforcuar. Ky është dhe vlerësimi presidentit Nishani për votën kundra kandidaturave të Petrit Çenos dhe Gjovalin Përnocës:

“Në një vështrim më të thellë, e shprehur në mënyrë të kondensuar, ajo që ndodhi me votimin është një tregues mëse i qartë se konsensusi politik i arritur mes palëve pas kërkesës së Bashkimit Europian për Ligjin e ri të Gjykatës së Lartë, nuk e kaloi provën. Çfarë vihet re fare qartë është se refuzimi u bë përmes një truku proçedurial. Flitet për “Presidentin” nga njëra anë dhe nga ana tjetër për “Shumicën Qeverisëse”, që ka përballë një palë armike politike. Çka është një qasje apo tablo thellësisht e gabuar”, thotë Nishani.

Presideni Nishani në deklaratën e tij insiston se në përfundim të këtij procesi të rëndësishëm, me dekretimin e zotërinjve Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, i ka qëndruar korrekt kritereve ligjore.

“Me keqardhje, Presidenti konstaton se në rastin e refuzimit të fundit, refuzuesit kanë vepruar në rend të kundërt. Kanë marrë një vendim, direktivë, ndoshta sugjerim, ndoshta urdhër, dhe në përputhje me këtë, kanë hartuar relacionin, i kanë sugjeruar grupeve parlamentare të Shumicës refuzimin. Konfliktet nuk lindin vetiu. Konfliktet e kanë një origjinë. Zënë fill dhe bëhen pak nga pak orteqe të pandalshme më së shumti dhe më së shpeshti pikërisht nga mos zbatimi me rigorozitet i procedurave. Çka dihet se shpie në një kosto të lartë, jo vetëm për ata që degradojnë procedurat, por për të gjithë. Nga ky këndvështrim dhe në këtë kuptim, jo votimi i djeshëm i Shumicës Qeverisëse si i tillë, por qëndrimi në tërësi ndaj procedurave institucionale, lë sigurisht për të dëshiruar, dhe nuk mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur asgjë”, thuhet në deklaratë.

Në fund të reagimit presidenti Nishani thotë se, “Është në favor të interesit të përgjithshëm të vendit dhe qytetarëve shqiptarë, që vendimmarrje të tilla, që në thelb kanë edhe parimin e luajalitetit ndërinstitucional, të mos cënohen nga interesa të grupimeve politike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA