
Siguria dhe rendi janë shndërruar në javët e fundit në shqetësimin kryesor të të gjithëve. Disa shpërthime me tritol, disa vrasje dhe sulmi mbi një autobus i linjës Athinë-Tiranë ka provokuar një gjendje pasigurie, e cila është përkthyer edhe në një konflikt të ashpër politik.
Përballë kësaj situate, Partia Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ndërsa qeveria ka akuzuar segmente pranë opozitës si të inkriminuara me botën e krimit.
Ishte pikërisht kjo tema e debatuar në emisionin e përjavshëm të Sokol Ballës, në “Top-Story”, me të ftuar të mazhorancës dhe opozitës, duke nisur nga deputetët e djathtë, Arben Ristani e Mesila Doda dhe kolegët e tyre socialistë, Taulant Balla dhe Ermonela Felaj, të cilët mbërritën në studio me disa minuta vonesë për shkak të angazhimit në Kuvend.
“Top-Story”, këtë të enjte nisi në një mënyrë të veçantë, me një reportazh të realizuar nga gazetari Muhamed Veliu, i cili shoqëroi një autobuz të linjës së Greqisë, deri në vendngjarjen ku më parë gjatë javës u verifikua prita e katër personave tashmë të arrestuar, të cilët pas mosndalimit të mjetit qëlluan me breshëri duke vrarë njërin prej pasagjerëve dhe plagosur një tjetër.
Në cilësinë e një ish-zëvëndësministri të brendshëm, i pari që mori fjalën në studio ishte zoti Ristani, i cili riformuloi mendimin e shprehur edhe në Parlament, për rritjen e frikshme, sipas tij, të kriminalitetit brenda vendit. “Krimi ka shumë shkaqe që e ngjisin dhe ka edhe një kurbë që shkon sipas këtyre rrethanave që paraqet moment shoqëror në të cilin jetojmë. Po të shikoni, në momentin kur PD mori pushtetin në 2005-n ka pasur një situatë entuziaste për ekonominë, për mobilizimin e shtetit në luftën ndaj bandave dhe ishte një moment që shoqëroi zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë, duke nisur nga zhvillimi i vendit dhe deri tek drejtimi i vendit e administrimi i rendit. Për këtë arsye, kurba erdhi në rënie. Në momentin kur ekonomia hyn në krizë, atëherë krimi fillon dhe rigjallërohet, aq më tepër kur ndryshohen në masë efektivët e policisë, pasi duke hequr në komisirate të gjithë shefat shkëput lidhjet e policisë me terrenin dhe sigurisht që krimi e ndien këtë. Aq më tepër duke ardhur njerëz që vende vende bashkëpunojnë me krimin, shoqëruar me situatën ekonomike dhe ndjesinë e të keqes, në lidhje me rritjen e çmimeve e kursimet e shoqërisë, të gjitha këto ndikojnë në rritjen e krimininalitetit. Kjo mund të luftohet vetëm duke rikthyer policinë në pozicionet e saj”, vlerësoi Ristani.
Në marrjen e fjalës, zonja Doda identifikoi goditjen ndaj institucioneve dhe shkarkimet e punonjësve të policisë, si arsyet e kësaj krize që po përjeton rendit. “Arrestimet e fundit? Besoj se 2-3 ditët e fundit në 100 e ca ditë nuk janë një bilanc shumë i mirë. Vendosja e eksplozivëve nuk është një dukuri e re, ka pasur raste edhe më parë, por besoj që duhet të ndajmë dy momente shumë të rëndësishme në analizë”, nisi analizën e saj zonja Doda.
“Duhet parë si erdhëm ne në qeveri dhe se si erdhi kjo tjetra. Në 2005-n morëm një gjendje rendi shumë më të vështirë nga ai që e lamë në 23 Qershor. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë atëherë, në shumë zona të territorit natën nuk qarkullohej dot lirshëm kur PD erdhi në pushtet, por pati një mënyrë tjetër të të funksionuarit të shtetit ligjor dhe pati rezultate të jashtëzakonshme në kapjen e bandave, e mbi 300 të tilla shkuan përpara drejtësisë. Patëm mundësinë të shikonim kapjet më të mëdha të narkotikëve dhe një përqindje e jashtëzakonshme e zbulueshmërisë së krimit kundër personit. Çfarë ka ndodhur dhe ku qëndron tronditja këtë periudhë? Arsyet janë dy. E para ka qenë goditja ndaj institucionit dhe personit. Diçka ndër gjërat e para që mori ministri Tahiri përsipër ishte shkrirja e policisë së krimit ekonomik, shkrirja e strukturave të tëra, shkrirja e Gardës së Republikës, marrja e kopetencave të ndërtimores dhe Policisë së Mjedisit. Më pas u morën kopetencat e Tatimores. Ju e dini se operacioni i famshëm “fund marrëzisë” mbylli nja dy javë lojrat e fatit dhe ende sot se dimë pse u mbyllën dhe pse u hapën këto lojra. U morën kopetencat e Ndërtimores dhe ju do të më thoni dakord, i kishin në programin elekeotral, por kjo duhej shoqëruar më përpara me ndryshime ligjore dhe ndërtimin e një strukture tjetër, përpara ndryshimit të këtyre institucioneve. Shteti ligjor ka një garant të vetëm që është ligji, e kundërta ndodh në një shtet diktatorial. Për një ditë u shkarkuan të gjithë drejtorët e qarqeve dhe u zëvendësuan nga persona që prej vitesh ishin shkëputur nga puna e përditshme e policisë. Çdo problem të kenë pasur drejtuesit e mëparshëm, heqja e njerëzve që kanë pasur marrëdhënie të përditshme në luftën me krimin krijonë këto rezultatet që janë sot. Dy pra janë problemet kryesore, goditja institucionale dhe goditja e personave të trajnuar përgjatë gjithë kohës”.
E pyetur për arrestimet e të ashtuquajturës “bandë e Tritolit”, zonja Doda parashtroi një version të ndryshëm për media. “Në datën 20 Janar, një qytetar ka shkuar dhe ka takuar prefektin e Fierit, e ka informuar për situatën kriminale që do të ndodhte në Durrës, kur ky dhe shtetasi J.S do të vrisnin me lëndë ekspliozive një biznesmen tjetër në Durrës, jo personi që ndërroi jetë, por një person tjetër përpara se t’i ndodhte atij. Prefekti ka kërkuar që ai të takonte Drejtorin e Policisë së Durrësit, të cilin e ka takuar dhe pasi e panë situatën kriminale të përgatitjes së asaj vrasje në Durrës, përballë kësaj dëshmie vënë në dijeni zv/Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, që e nxjerr këtë shtetas nga zyra dhe thotë si e besoni. Ai tentoi t’i drejtohej medias, nuk lejohet nga policia dhe aty ndahen. Në 23 Janar ndodh vrasja e biznesmenit të Durrësit në zonën e plazhit dhe policia vihet në lëvizje nëpërmjet këtij dëshmitari. Nëse do të ishin të vëmendshëm, rrjeti do të ishte shkatërruar përpara se të humbte jetën një qytetar. Siç e dini, sot Prokuroria ka nisur edhe në lidhje me nxjerrin e sekretit të kësaj ngjarje, e kjo është një paaftësi totale, por edhe një ndërgjegje shumë e ulët”, deklaroi Doda.
Në ndërhyrjen e tij, zoti Ristani vuri në dukje se “informacioni që zoti Berisha e bëri prezent në seancën e sotme të Parlamentit është realisht ashtu dhe është e përsëritur ngjarja. Është i gjithë ambienti që krijohet nga njerëzit që drejtojnë vendin që favorizon krimin. Kjo është shumë e rëndësishme të nënvizohet pasi janë specialistët që sigurojnë mbarëvajtjen e institucionit. Unë jam pak dyshues për këtë J.S, në lidhje me bandën e tritolit, pasi pas pak kohe doli autori që ka bërë 20 vrasje. Ky është autori i këtyre dhe atyre krimeve u tha në media, e mua më duket që e kanë marrë informacionin nga furgoni që kur e kapën, pasi nuk zbërdhehen kaq kollaj këto ngjarje. U kap edhe një person tjetër e u dha sinjali që u kap autori i njërit nga babagjyshëve që vodhën qëndrën tregtare, ndaj duhet të ruhemi nga këto informacione pasi ky Kuka nuk po rezulton, të paktën deri tani si një prej autorëve të vjedhjes. Duket sikur me këtë kapje shkoi zbulueshmëria 99%, ndaj do të jetë e vështirë situata që të vërtetohet se ky e ka bërë atë incidentin ndaj prefektit, Kollozit, gjyqtarit, etj etj. Megjithatë është për t’u përshëndetur puna e policisë kur arrin të ketë rezultate, pasi këtu nuk bëhet për luftë politike, por për jetët, pasuritë dhe pronat e të gjithë neve. Në këtë rast, secili nga ne kur ndodhet në një situatë të caktuar tek policia na shkon mendja pasi nuk ka një mënyrë tjetër për t’u mbrojtur, por është e padrejtë që policia t’i heqë pavarësinë policisë dhe duhet të hiqet dorë nga vërtësimi i policisë nga politika”.
Gazetari Blendi Salaj, nëpërmjet një reagimi në një rrjet shoqëror, i shtroi një pyetje zotit Ristani, në lidhje me komentin e mëparshëm të Partisë Demokratike, që e cilësoi si një teatër vendosjen e tritolit tek automjeti i prefektit Dervishi. “Unë besoj se në momentin kur u deklarua, u deklarua mbi bazën e të dhënave që kemi pasur dhe mënyrën se si u interpretua situata. Personi që mund ta ketë vënë nuk është njohur dhe nuk njihet të paktën nga njerëzit që më rrethojnë mua aty”, tha Ristani.
Pjesa e dytë nisi me një intervistë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Artan Didi dhënë për Sokol Ballën në emisionin radiofonik në Top Albania Radio, “Sokol Balla Live”. Në këtë intervistë të realizuar një ditë më parë, zoti Didi hodhi disa deklarata të forta. Ai tha se policia e shtetit ka nisur të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, ndaj situata është e tillë.
Numri një i bluve shtoi më tej se për të hetuar atentatet me eksploziv do të hapen dosjet ndër vite, përfshirë këtu ato të viteve 1998 dhe 1999 të ekzekutimeve të ngjashme, sidomos në Tropojë.
I mbërritur në studion e Top Story-t me vonëse, deputeti socialist, Taulant Balla vlerësoi operacionin e fundit të Policisë së Shtetit dhe kritikoi opozitën, që sipas tij po bëhet palë me krimin. “Për herë të parë është goditur grupi më i madh i 20 viteve të fundit në dy gjëra, sa i përket vrasësve me pagesë dhe sa i përket vendosjes së eksplozivëve. Brenda Partisë Demokratike, persona që kanë qenë në pozicione të larta në Policinë e Shtetit, por të hequr për shkak të lidhjeve të tyre kriminale, sot po kontaktojnë elementët kriminale për të frikësuar popullsinë me shpërthimin e disa shtyllave të tensionit të lartë dhe të ndonjë makine të parkuar diku. Gjëja e parë që PD duhet të bënte të dënonte aktet, por PD del e dënon vetëm Policinë e Shtetit, aktet nuk i dënon”, tha zoti Balla.
Balla shtoi: “Në kallëzimin kundër Arben Imamit që Top Channel publikoi sot, prokuroria ka gjetur që Ministria e Brendshme ka shitur gjatë fillim-vitit 2013 dhe fund-vitit 2012, 500 ton tritol një ish-deputeti të PD-së. Kallëzimi penal i bërë sot publik thotë se ja kishte shitur me një cmim 3 herë më pak se sa cmimi i tregut. Kjo ka një lidhje me situatën aktuale sepse tritolin në treg e ka furnizuar Ministria e Mbrojtjes me në krye Arben Imamin. PD ka 91 ditë që sulmon Policinë e Shtetit, PD është bërë palë e krimit ndërkohë që duhet të ishte palë me PS kundër krimit”.
Deputeti demokrat Arben Ristani deklaroi se opozita bën transparencën dhe thotë të vërtetën përballë qytetarëve.
Deputetja socialistej, Ermonela Felaj tha në fjalën e saj se “opozita e sotme dhe pozita e djeshme nuk ka përzemër vendosjen e sigurisë në këtë vend sepse, sipas saj, nëse do ta kishte përzemër do ta kishte bërë këtë. “Kriminaliteti në Shqipëri nuk doli sot, nuk ka as një muaj, as dy, as tre. Kriminaliteti është prej vitesh në këtë vend”, tha Felaj.
Pjesa e tretë e Top Story vijoi me një debat mes deputetëve dy deputetëve të maxhorancës dhe dy deputetëve të opozitës sa i përket të dhënave të kriminalitetit muajt e fundit, krahasuar me periudhat kur në pushtet ishte Partia Demokratike.
Balla dhe Ristani u ndalën edhe tek korrupsioni dhe rastet e dy kryebashkiakëve përkatës, Shpëtim Gjikës në Vlorë dhe Xhelal Mziut në Kamëz. Deputeti socialist tha se ndryshe nga PD, PS ishte shprehur që të vazhdonin hetimet dhe le të shprehej ajo për cështjen në fjalë, ndërsa sipas tij, deputetët demokratë cdo ditë vizitonin Xhelal Mziun duke e cilësuar një sulm politik. Deputeti demokrat, Arben Ristani replikoi duke thënë se opozita nuk është kundër hetimeve, por tha se kërkoi zbatimin e të njëjti standard për të dyja rastet.
Në mbyllje, deputetja socialiste Ermonela Felaj tha situata e sotme e rendit është reagimi i krimit nga goditja e fortë e shtetit. “Edhe në Italinë e viteve ’80 ndodhën një seri vrasjesh, u vranë dy gjyqtarë pikërisht pas arrestimit të 450 personave. Por kjo nuk shkurajoi askënde atje, dhe ne nuk shkurajohemi”, tha ajo.
Top Channel