
Nëse nënat janë grupi më i lumtur i së gjithë shoqërisë, gratë e
martuara, por pa fëmijë, janë më të kënaqura nga martesa e tyre. Në
Britani, një anketë ku janë përfshirë 5 mijë njerëz për dy vjet, është
përpjekur të hedhë dritë mbi sekretin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe
të lumtura.
Studimi i ‘Open University’ tregon në fakt se edhe gratë e përfshira në një lidhje të palumtur, kur bëhen nëna, jetojnë më të lumtura. Por jo vetëm: duket se gjestet e vogla të vëmendjes janë më të fuqishme në krahasim me gjestet romantike për të mbajtur bashkë çiftet, siç citohet te Telegraph në internet. Studimi i financuar nga Këshilli i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale zbulon ndryshimet mes personave me dhe pa fëmijë. Ndërsa gratë me fëmijë janë mes atyre njerëzve që shpesh thonë se janë të pakënaqura nga lidhja e tyre dhe tregojnë shenja largimi nga partneri, këto, në fakt, renditen në vendin e parë të dhjetëshes së personave më të lumtur në përgjithësi. Gratë pa fëmijë, janë absolutisht më pak të lumtura, por ama më të kënaqura nga marrëdhënia e tyre apo jeta private. Përveç kësaj, baballarët janë më pak të lumtur nga burrat e tjerë pa fëmijë. Me pak fjalë, nga “llogaritë” e bëra duket se gratë me një fëmijë janë më të prirura për t’u përqendruar te fëmijët në krahasim me burrat apo të fejuarit. Prova është se kur gratë u gjendën përballë pyetjes se: “Cili është personi më i rëndësishëm i jetës së tyre?”, më shumë se gjysma e tyre deklaruan se ishin fëmijët ata që mbanin këtë “vend”, krahasuar me vetëm një të katërtën e baballarëve. Ndërkohë, dy e treta e baballarëve ka pranuar se personi më i rëndësishëm i jetës së tyre ishte bashkëshortja ose e fejuara e tyre.
“Pra, duket se gratë marrin më shumë lumturi nga fëmijët e tyre se sa nga baballarët”, thotë Xhaki Gab nga Open University, që ka drejtuar këtë studim. Pika e keqe për baballarët është mungesa e intimitetit seksual e jetës në çift. Ndërkohë duhet thënë gjithashtu se personat me moshë mesatare janë më pak të lumtur në krahasim me çiftet e reja dhe në “aktivitet të plotë”. Përveç kësaj, studiuesit shpjegojnë se kapërcimi i përbashkët i problemeve, humbja e vendit të punës së tij për shembull, e bën partnerin të ndihet më i bashkuar në lidhjen e tyre. Studimi hedh dritë edhe në “fuqinë e çajit” për britanikët. Sekreti i martesës së lumtur qëndron në këtë ritual: duket se burrat që i përgatisin një filxhan çaj partneres së tyre, apo edhe ia shërbejnë atë në mëngjes në shtrat, bëjnë më shumë për marrëdhënien e tyre se sa ata që dhurojnë lule apo dhurata më të shtrenjta. “Me pak fjalë, një filxhan çaj vlen më shumë se mijëra fjalë”, thotë Gab.
Ardhja e fëmijës e parë nga pikëpamja e saj
Femra e bërë nënë ndihet e realizuar. Nuk ka asnjë gjë më të madhe për një femër se sa ardhja në jetë e fëmijës së saj. Ai bëhet qendra e jetës dhe ekzistencës së saj. Ndërkohë partnerin, kur ndodh ky event, ajo e sheh me një mënyrë tjetër; nuk është e vërtetë që ai humb rëndësinë, përkundrazi duke qenë se është babai i fëmijës dhe garanton mbrojtjen, ai bëhet shumë i rëndësishëm dhe i çmuar. Por kujdes! Nënat e reja duhet të bëjnë kujdes në këtë pikë, në mënyrë që burrat e tyre të mos keqkuptohen në rëndësinë që ata marrin veçmas si bashkëshort dhe si baba.
Ardhja e fëmijës e parë nga ana e tij
Si gjithmonë, burrat janë më shumë praktikë. Ata nuk përjetojnë të njëjtin ndryshim si partneret pas ardhjes në jetë të fëmijës së tyre. Mashkulli e kupton që për partneren e tij, fëmija do të bëhet qendra e vëmendjes dhe mundohet të përshtatet me këtë mënyrë. Por përsëri, ai kënaqet me ndjenjat e tij të reja si baba.
Top Channel