Preshevë, unifikim i faktorit politik

29/01/2014 00:00

Ndërsa në Beograd presidenti serb deklaronte 16 marsin si datën e zgjedhjeve të parakohëshme, për rastësi në Tiranë për herë të parë janë ftuar nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati të jenë bashkë në takim, 12 përfaqësues të Luginës së Preshevës.

Përfaqësues të forcave politike në luginën e banuar nga shqiptarë, por edhe të shoqërisë civile dhe biznesit atje, janë njohur me qëndrimin e ri të Tiranës për një qasje më aktive  dhe më pranë shqetësimeve të shqiptareve të Luginës.

Tre momente, që nisin nga kushtet e mbijetesës së shqiptarëve të Preshevës, bisedimet Serbi- Kosovë dhe rritjen e vëmendjes nga qeveria e Tiranës, janë mundësi që duhet të shfrytezohen që shqiptarët e përçarë të Luginës të dalin me një koalicion të përbashket në zgjedhjet e 16 marsit dhe për t’u përfaqësuar me të paktën dy deputetë në Kuvendin e ri, thanë pas takimit për Top Channel përfaqësues të Luginës.

“16 marsin e kemi shumë shpejt, kohë nuk kemi shumë por unë shpresoj që në situatën që jemi, përgjegjësitë që kemi në këtë situatë ku ballafaqohemi me probleme ekzistenciale duhet ta bëjë faktorin politik në Luginë më të përgjegjshëm dhe këtë ndihmë që kemi nga Tirana, besoj dhe nga Prishtina edhe rezultatet do të jenë më të mira se këto të deritanishme”, deklaroi Riza Halimi, deputet shqiptar i Luginës në Kuvendin e Serbisë.

“Kohezioni i faktorit politik dhe shoqëror shqiptar i artikuluar nëpërmjet një platforme përbashkuese të qëndrimeve konkrete, përbën një interes jetik për shqiptaret e Preshevës”, u shpreh ministri Bushati në takim, mesazh që i përkthyer tek përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, rrit përgjegjësinë e tyre për bashkim.

“Sigurisht që këtë vëmendje do ta kemi parasysh të qeverisë shqiptare dhe në këtë këtë kontekst besoj që gjithë politika shqiptare do të shtrojë në forumet e saj politike dhe do të vlerësojë duke patur në konsideratë thirrjet e Tiranës dhe në vecanti të Ministri Bushati”, tha Ragmi Mustafa, kreu i Komunës së Preshevës.

Shqiptarët e Preshevës janë të përfaqësuar aktualisht me vetëm një deputet në kuvendin serb, si pasojë e ndarjeve të mëdha të shqiptarëve atje. Sado të arrijë të konkretizohet platforma e përbashkimit të tyre, testi mbetet 16 marsi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta