Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka miratuar me unanimitet një rezolutë, që i lejon trupave ushtarakë të Bashkimit Europian të përdorin forcën në Republikën e Afrikës Qendrore, si dhe që kërcënon me sanksione ndaj fajtorëve për konfliktet brenda vendit.
BE ka dislokuar rreth 500 trupa në ndihmë të forcave afrikane dhe atyre franceze, të cilat ndodhen prej kohësh në RAQ, në përpjekje për t’i dhënë fund përplasjeve mes milicive rivale, të krishtera e muslimane.
Rezoluta u lejon përforcimeve të përdorin “çdo masë të nevojshme” për të mbrojtur civilët në vendin afrikan, i cili është futur thuajse në një anarki të vërtet, që kur presidenti i vendit u rrëzua nga pushteti prej rebelëve, 10 muaj më parë.
Michel Djotodia, i cili zëvendësoi presidentin e rrëzuar, dha dorëheqjen në fillim të këtij muaji, së bashku me kryeministrin e caktuar prej tij, për shkak se dështoi të kontrollonte dhunën fetare në vend.
Pas dorëheqjes së tij, Catherine Samba-Panza, kryebashkiake e Bangui-t, kryeqytetit të vendit, u zgjodh si presidente e përkohshme e Republikës së Afrikës Qendrore, duke u bërë kështu e para femër që mban këtë post.
Rezoluta e OKB-së lejon gjithashtu vendosjen e sanksioneve kundër liderëve terroristë të grupeve që akuzon për masakra dhe abuzime të të drejtave të njeriut, por nuk përmend asnjë objektiv fillestar për masat.
Ajo bën gjithashtu thirrje ndaj qeverisë së përkohshme të RAQ, të përshpejtojë gjithçka që nevojitet drejt zgjedhjeve të reja. Një akord tranzicional mes grupeve rivale ka përcaktuar afatin e fundit për zgjedhjet e ardhshme, pikërisht Shkurtin e vitit 2014. Por, këshilli tha se votimet mund të mbahen edhe në gjysmën e dytë të vitit 2014, nëse do të jetë e mundshme.
Top Channel