Rama inspekton Doganën e Durrësit

26/01/2014 00:00

Pas Hanit të Hotit, kryeministri Edi Rama ishte në një tjetër pikë doganore, në një inspektim të paralajmeruar.

Ne doganen e Durresit, një prej doganave më të rëndësishme në vend edhe sa i takon peshës së të ardhurave që ajo realizon për buxhetin e shtetit, ai pa nga afër të gjitha kushtet në të cilat u shërbehet bizneseve shqiptarë dhe të huaj.

“Dogana e Durrësit është porta kryesore e Shqipërisë, ku përballet çdo subjekt, qoftë i huaj apo shqiptar, dhe vjen e gjen këtë situatë”, tha Edison Konomi, kryetar i Doganës së Durrësit.

“Përfytyro një biznes që vjen për t’u ankuar për një procedurë në një zyrë të tillë, ndërkohë që Dogana e Durrësit dhe e Tiranës përbëjnë 70% të gjithë të ardhurave që mbledhin doganat tona. Kujtojmë se nga doganat përbëjnë rreth 60% të të gjithë buxhetit”, tha Elisa Spiropali, drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.

Përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve është një domosdoshmëri edhe për shmangien e abuzimeve, ryshfetit e korrupsionit, tha kreu i qeverisë.

“Sa sarkastike më duket situata, që edhe ajo karrige aty është e blerë nga doganieri”, u shpreh Edison Konomi.

“S’ka asnjë shans, që të ketë shërbim profesional në këto kushte dhe s’ka asnjë shans që ne të çlirohemi përfundimisht nga korrupsioni, bakshishi, vonesat e zvarritjet, nga gjithë kjo marrëdhënie skandaloze në këto kushte. Këto janë kushte që e bëjnë të pamundur që ne të kemi sistem transparent dhe funksional, me normat elementare të të drejtave të njeriut, që ka nevojë për shërbim. Kjo është e pashembullt”, reagoi kryeministri Edi Rama.

Nga vetë drejtuesit e doganave, Dogana e Konteinerëve cilësohet si fytyra, me të cilën prezantohet vendi ynë.

“Këto përmbyten të gjitha kur bie shi. Këtu punojnë doganierët, që merren me praktikat e konteinerëve”, tha Spiropali.

“Sektori i konteinerëve është shumë specifik, realisht është imazhi ynë. Kjo, sepse këtu bëhet pjesa më e madhe e tranziteve, qoftë edhe me rajonin. Këtu vijnë të gjitha sipërmarrësit”, tha Konomi.

“Torturë e vërtet për të gjithë ata që vijnë këtu e sjellin mall. Kjo, absolutisht duhet të futet menjëherë me precedencë dhe urgjencë në planin për ta transformuar brenda këtij viti me çdo kusht, me çdo çmim”, deklaroi Rama.

Por, kushtet e papranueshme nuk u identifikuan vetëm në dogana, por paradoksalisht edhe në vet zyrat e punës në Durrës, në qytetin e dytë më të madh për nga ekonomia, dhe rrugët e zhvillimit të sipërmarrjes private. Kryeministri tha se nevoja për një zyrë pune të denjë për njerëzit, që kërkojnë punë është urgjente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA