Robert Fico: Statusin në qershor

24/01/2014 00:00

Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë në vijim të një turi Ballkanik qëndroi edhe në Tiranë për një vizitë 1-ditore, duke ofruar mbështetje të pakushtëzuar për Shqipërinë në integrimin europian, por edhe më gjerë.

Fico është i pari kryeministër i Sllovakisë që viziton vendin tonë. Së bashku me disa ministra të kabinetit që ai drejton, bashkëbisedimi me kryeministrin Rama është përqëndruar në ndihmën që Shqipëria mund të përfitojë prej këtij vëndi në proceset integruese, ekonomi dhe turizëm.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama tha se Sllovakia është një shembull që duhet ndjekur për qeverisjen e mirë dhe sipërmarrjen e lirë.

“Sllovakia mbetet një vend shembull për rrugën e integrimit. Sllovakia është një referencë e qartë për ne në Bashkimin Evropian dhe Shqipëria ka fatin ta ketë të palëkundur mbështetjen e këtij vendi. Shqipëria është e angazhuar ta intensifikojë dialogun me të dhe kemi rënë dakord për ngritjen e një grupi të përbashkët për të identifikuar fushat ku eksperienca e Sllovakisë mund të vlejë për vendin tonë”, deklaroi Rama.

“I nderuar zoti kryeministër, qeveria e Republikës Sllovake iu ofron çdo përvojë që ne kemi përftuar nga procesi integrimit dhe mbi të gjitha ofron mbështetje tërësore për ambicjet europiane të të vendit tuaj, që janë të ligjëshme dhe të justifikuara. Qeveria sllovake e ka mbështetur ambicjen tuaj deri në dhjetor dhe më vjen keq që u mor ai vendim që u mor. Kjo është arsyeja që jemi të sigurtë që në qershorin që vjen çdo gjë do të shkojë atje ku duhet të ishte në fakt dhjetorin që kaloi. Ne jemi të gatshëm në kuadër të asistencës që i ofrojmë një sërë vendesh, përfshirë vëndin tuaj, për të ngritur një ekip ekspertësh të cilët do të kalojnë kohë, javë e muaj në vendin tuaj, pra në dispozicionin tuaj, sepse është diçka shumë e rëndësishme që ne të ndajmë së bashku përvojat. Mund të zhvillojmë në Bratisllavë edhe një forum biznesi për të parë mundësitë që ekzistojnë. Më duhet të them se tre muajt e parë të qeverisë suaj, fillesës nga puna ishin mjaft mbresëlënëse sa u përket hapave shumë të mirë që keni marrë dhe duhet të vijoni”, deklaroi nga ana e tij Fico.

Kryeministri Rama deklaroi se ai shpresonte që Sllovakia të njohë shtetin e Kosovës, ndërsa homologu i tij sllovak i pyetur nga Top Channel se çfarë e ka penguar këtë vend në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dha këtë përgjigje.

“Zakonisht i përgjigjem pyetjeve drejtëpërdrejtë dhe s’kam arsye të mos e bëj një gjë të tillë. Për momentin, apo për këtë kohë le të themi, Sllovakia nuk sheh arsye përse ta ndryshojë pozitën e saj politike karshi Kosovës. Ne e kemi mirëpritur dhe e mbështesim dialogun Prishtinë-Beograd. Ka një pozicion politik të qeverisë së Sllovakisë se ne nuk do të ndërmarrim asnjë hap që jetën e përditëshme të njerëzve në Kosovë do ta bënte më të vështirë. Jemi mjaft elastikë me pasaportat, pra po ndjekim zhvillimet dhe do jemi të lumtur të shikojmë një marrëveshje mes Beogradit me Prishtinën”, nënvizoi Fico.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA