Durrës, 23 shoqërime për bombën

24/01/2014 00:00

Ka shkuar në 23 numri i personave të shoqëruar në polici në lidhje me
shpërthimin e automjetit të një biznesmeni ndërtimi në qytetin e
Durrësit.

Grupi hetimor është fokusuar në dy-tre pista për të zbardhur ngjarjen e rëndë që çoi në plagosjen e ndërtuesit Xhemal Çela 48 vjeç nga Durrësi dhe djegjen e plotë të automjetit të tij tip Citroen me targa AA 759 EY. Pistat e hetimit janë fokusuar në konflikte të ndërtuesit Çela për shkak të aktivitetit në sektorin e ndërtimeve, por edhe për konflikte të tjera të mundshme jashtë aktivitetit profesional.

Xhemal Çela po udhëtonte në aksin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, pranë bllokut të vilave qeveritare, kur automjeti i tij ka shpërthyer, duke shkaktuar plagosjen e drejtuesit që është dëmtuar rëndë në pjesën e poshtme të trupit dhe ka pësuar hemorragji.

Pas ndihmës së parë në spitalin e Durrësit ai është dërguar në gjendje kome për ndihmë më të specializuar në Tiranë. Ndërkohë lënda plasëse që deklarohet të jetë një sasi tritoli, e vendosur në pjesën e poshtme të automjetit në krahun e drejtuesit, është aktivizuar me telekomandë. Autori dyshohet se e ka ndjekur në distancë mjetin e Çelës, për të shmangur pasojat te personat e tretë që lëviznin në rrugën e plazhit.

Top Channel