Venizelos: Shqipëria gati për statusin

22/01/2014 00:00

Presidenca greke e BE-së pret raportin e Komisionit mbi Shqipërinë për të vlerësuar situatën dhe dhënien e statusit. Zëvendëskryeministri Venizelos e quajti Shqipërinë “partner strategjik” kur u pyet nga Top Channel nëse vendi duhet të zgjidhte ndonjë çështje bilaterale deri në qershor, kur pritet të merret vendimi i Këshillit të BE-së.

“Për ne, bazuar në mardhëniet bilaterale, Shqipëria është një partner strategjik. Për ne, tashmë Shqipëria është e gatshme për të pranuar statusin e vendit kandidat. Por, duke iu referuar konkluzioneve të Këshillit Europian, duhet të presim deri në Qershor për të bërë rivlerësimet e mundshme mbi statusin dhe situatën në Shqipëri”, deklaroi Venizelos.

Kjo deklaratë u dha nga përfaqësuesi i Presidencës greke në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku ai raportoi mbi prioritetet e politikës së jashtme për 6mujorin e parë të këtij viti.

Në këtë mbledhje, numri 2 i qeverisë helene foli fillimisht për zhvillimet e fundit në Siri, Libi, Liban, Egjipt e Ukrahinë dhe më pas për Ballkanin.

Pasi shpjegoi pritshmëritë për Malin e Zi, Serbinë e Kosovën, ai përmendi shkurtimisht kandidaturën e Shqipërisë, për të vijuar me Bosnjen e Maqedoninë, dy vendet që kanë ngecur në proceset integruese respektive me BE.

Top Channel