Kryeministrit Edi Rama darkoi për më shumë se 3 orë me kreun e FRD-së Bamir Topi, në një nga restorantet e Tiranës.

Takim ky, që duket se i hap rrugën një bashkëpunimi të përfolur kohët e fundit mes dy forcave, që sipas ish-presidentit është i domosdoshëm për çështje me rëndësi në vend.

“Çfarëdo që të them unë sot, është dikush që e ka shumë përzemër Facebook-un, e me siguri do të thotë se është kompletuar faza e 4-t e grushtit të shtetit. Unë besoj se çdo takim duhet të konsiderohet në planin qytetar. Kemi të drejtë të takohemi, apo jo, pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme politike. Besoj se në politikë, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, që nuk i takojnë më interesave të ngushta personale, por interesave të Shqipërisë, sidomos për gjëra që lidhen me nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për reformën administrative territoriale dhe për shumë gjëra që i takojnë shtetit. Tek e fundit është në filozofinë tonë politike, pse jo… Ne mund të bashkëpunojmë shumë mirë. Shqiptarët duhet të kuptojnë se nuk duhet të jenë të ndarë. Kur janë bashkë mund të realizojnë gjëra të mira. Boll jemi ndarë.”, u shpreh kreu i FRD-së, Bamir Topi.

Sa i përket Kushtetutës dhe nevojës për ndryshime në të, ish-presidenti u shpreh “besoj se po, aq më shumë kur, edhe ata që i bënë ndryshimet brenda një nate e kanë kuptuar se kanë gabuar”.

Ndërkohë, Rama nuk bëri asnjë koment pas këtij takimi. Ai shoqërohej nga zv/kryeministri Peleshi, ndërsa Topi nga dy bashkëpunëtorët e tij në parti, Gumeni dhe Shehu.

Top Channel