Të kesh një miss për mama! Për Rein 17 vjeç dhe Antonios 13, ky është lajmi i vitit. Dy djemtë e Yllka Boçkut janë më se të lumtur që kanë një mama me kurorë misi.

“Për mua është një privilegj që e kam mamin ndryshe nga të tjerat. Për mua është si Perëndi”, thotë djali i madh.

Shpesh shokët e Antonios, ata që s’e kanë njohur Yllkën, habiten kur i shikojnë nënë e bir bashkë: “Gjithmonë mendojnë se është motra, jo mamaja.”

Ndonëse për shumë djem të moshës së tij të kesh një mama të bukur mund të jetë paksa e sikletshme, Reit as s’i shkon në mendje të shqetësohet për diçka të tillë: “Nuk dua t’ia di fare se çfarë thonë të tjerët.”

Për ta, mamaja është një grua e fortë që di t’ia dalë edhe punës, edhe shtëpisë. Yllka pjesën më të madhe të kohës e kalon në lokalin që e kanë biznes familjar. Edhe bashkëshorti, Raeli, është gëzuar po aq sa fëmijët dhe Yllka për çmimin e madh.

“Normale që ndihem krenar sepse ndoshta duke ecur krah saj, marr edhe unë bukuri”, thotë Raeli.

Ai e përshkuan të shoqen si një grua të fortë, përveçse të bukur. Siç është rigoroze në punë, ashtu është edhe në shtëpi. Yllka i ndihmon të merren me mësimet, por ndan me fëmijët edhe bisedat më intime.

Oficerja e policisë, një gjyshe në Miss Beauty

Uniforma e forcës së ligjit mund të fshehë linjat, por aspak feminilitetin e Linda Canit. Oficerja e policisë në burgun e grave, nuk është vetëm gruaja e hekurt që i duhet të vigjilojë në institucionin e riedukimit, por edhe një mama simpatike që ka rritur katër fëmijë.

Griselda, Brunilda, Edisoni dhe Emanueli e kanë detyruar në thonjëza, që mamaja e tyre të marrë pjesë në një konkurs bukurie: “Në fillim nuk donte pasi thonte nuk kam moshë, por arrita ta bind.”

Ata kanë qenë po aq të emocionuar sa edhe ajo për këtë pjesëmarrje dhe gjithashtu kanë qenë të vetëdijshëm se kishin një mama të bukur: “Sa herë që vinte në shkollë më thonin “sa të bukur e ke mamin”. Thonin edhe frazën e famshme “më mirë e ëma se e bija.”

Tashmë fëmijët janë të rritur. Asaj nuk u duhet të kujdeset dhe aq për to. Aq më tepër sepse prej tre vitesh Linda ka marrë dhe një rol tjetër, atë të gjyshes.

Një gjyshe që guxon. Guxon të sfidojë, jo vetëm mamatë e tjera të bukura, por edhe mentalitetin që shpeshherë nuk gjen lidhje mes moshës, mëmësisë dhe bukurisë.  

Lumturi Hasa, sfidat për të marrë pjesë në konkurs bukurie

Lumturi Hasa është e vetmja femër në familjen me 4 meshkuj. Më i vogli, Sebastiani, është vetëm 1 vjeç e gjysmë. Ndërsa dy të mëdhenjtë, Graciano dhe Rudolfi, janë përkatësisht 17 dhe 13 vjeç.

Doktoresha simpatike nga Elbasani e ka pasur më të lehtë të fitojë vendin e dytë në Miss sesa të marrë “po”-të e meshkujve të jetës së saj për të marrë pjesë në konkurs.  

Për të qenë të sinqertë, Rudolfi e ka mbështetur që në fillim: “Mua mu duk një mendim i shkëlqyer pasi ia vlente se është e bukur.”  
 
Ndërsa Graciano e pati shumë të vështirë të mësohej me idenë se e ëma do të sfilonte për një konkurs bukurie në vend që të kujdesej për sytë e klientëve në klinikën e tyre: “Më ra si bombë në fillim pasi nuk është dëgjuar shpesh në Shqipëri për sfilata të tilla.”

Edhe bashkëshortit, Shazit, i duhej të mendohej disa ditë për t’i dhënë mbështetjen e tij: “Jetojmë në Shqipëri dhe të kesh një grua të bukur nuk është e lehtë.”     
 
Por është e vështirë t’i thuash jo të vetmes femër në shtëpi. Aq më tepër kur rrezaton bukuri si ajo e mamasë së tyre. Aq më tepër kur u përkushtohet aq shumë, çdo ditë, që të gjithëve, si në punë ashtu dhe në shtëpi. Aq më tepër kur kthehet me çmim.

“Edhe pse doli në vend të dytë, për mua është miss-i”, thotë djali i madh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA