Kuvend, sesioni i ri nis me Radikën

20/01/2014 00:00

Radika devijon axhendën parlamentare. Çështja që ka marrë vëmendjen e opinionit politik dhe mediatik ditët e fundit ka paraprirë punimet normale të Kuvendit pas kërkesës së LSI-së, partisë aleate në qeverisje, për interpelancë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Kërkesa e saj është pranuar në seancën që zgjati vetëm pak minuta dhe që hapi këtë sesion parlamentar. Sipas këtij vendimi, shefi i diplomacisë shqiptare do të japë sqarime për çështjen dhe qëndrimin që do të mbajë Shqipëria në raport me pretendimin e Maqedonisë për devijimin e lumit në seancën e javës që vjen.

Më herët ishte kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili që e cilësoi projektin maqedonas të fushës së Likovës në kundërshtim të plotë me të gjithë kornizën ligjore ekzistuese ndërkombëtare për çështjet e rrjedhave ujore dhe zonave ujëmbajtëse ndërkufitare.

Përveç saj, sipas zotit Vasili, Maqedonia po shkel hapur edhe një marrëveshje të nënshkruar nga Shqipëria, Maqedonia, Greqia, Kosova dhe Mali i Zi në lidhje me basenin e Drinit në vitin 2011.

“Në marrëveshjen ‘Drini, një vizion i përbashkët strategjik’, përcaktohet qartë se korniza ligjore për t’u zbatuar në kaskadën e Drinit është ajo europiane, veçanërisht ‘Direktiva 2000/60’ e Parlamentit Europian. Ky projekt bie ndesh edhe me këtë direktivë, në të cilën  specifikohet që në raste kur ka efekte ndërkufitare thuhet që zgjidhja duhet të jetë për gjithë kaskadën me marrëveshje, pika 35 e këtij dokumenti. Ky projekt ka një efekt ndërkufitar, të qartë dhe padiskutueshëm dhe në këtë marrëveshje përcaktohet që çdo ndërhyrje në menaxhimin e kaskadës duhet të jetë e koordinuar dhe e aprovuar. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur”, tha Vasili.

Qëndrimi i LSI në këtë rast përputhet me atë të Partisë Demokratike, e cila kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë shqiptare për të ndaluar këtë projekt që dëmton seriozisht jo vetëm jetën e banorëve të Dibrës së Madhe, por edhe atyre të Dibrës dhe Bulqizës brenda kufirit shqiptar.

“Shurdhëria e qeverisë tonë para këtij shqetësimi në rritje të banorëve që preken drejtpërdrejt, por dhe gjithë qytetarëve dhe opinionit publik, e nxjerr qeverinë shqiptare në rastin më të mirë të paaftë për të kuptuar rëndësinë dhe përmasat e asaj që po projektohet nga pala maqedonase. Partia Demokratike i kërkon qeverisë të reagojë, sot, menjëherë, përpara se një çështje e tillë të përfshijë më shumë zemëratë popullore, çka nuk do të ndikonte në zgjidhjen e çështjes”, deklaroi deputeti Roland Keta.

Reagimet politike në Tiranë erdhën pas tubimit të qytetarëve në kryeqytet dhe në qytetin e Peshkopisë, të cilet kërkuan angazhimin e Tiranës zyrtare në frenimin e këtij projekti.

Top Channel