Dhunohet zyra e PD-së në Manzë

19/01/2014 00:00

Partia Demokratike denoncoi si veprim politik dhunimin e zyrës së saj në Manzë, një lokalitet mes Tiranës dhe Durrësit.

Zyra është dëmtuar rëndë gjatë natës, duke shkatërruar gjithçka ka pasur brenda.

Duke iu referuar edhe një ngjarjeje tjetër të ngjashme, në Mat pak kohë më parë, deputeti demokrat Eduard Halimi akuzoi qeverinë se po frymëzon dhunën politike ndaj opozitës për ta frikësuar atë.

“Mos dërgimi para drejtësisë i autorëve, qoftë edhe të dyshuar, krijon bindjen e plotë se të gjitha këto veprime kanë vetëm një qëllim dhe prapapavijë, atë politike. Po kërkohet që, nëpërmjet zjarrit, të intimidohet opozita. Ndaj edhe jam këtu, bashkë me drejtuesit e Partisë Demokratike, për t’i thënë kryefrymëzuesit, organizatorëve dhe ekzekutorëve se, kush luan me zjarrin, digjet”, tha Halimi.

Për Partinë Demokratike, shkatërrimi i zyrës së opozitës në Manëz është një dëshmi tjetër e rritjes së pasigurisë në vend.

“Dhe mendoni, kur kjo i ndodh një partie politike, llogarisni se çfarë mund t’u ndodhë qytetarëve sot e gjithë ditën”, shtoi Halimi.

Sipas Partisë Demokratike, dhunimi i zyrës së opozitës është një rast i mirë për policinë që, me një hetim profesional dhe të pandikuar politikisht, të zbulojë dhe të çojë përgjegjësit përpara drejtësisë.

Top Channel