Google, lente kontakti për diabetikët

18/01/2014 00:00

Pas Google Glass dhe termometrave “inteligjentë”, në shtëpinë Big G po eksplorohen kufij të rinj.

Këtë herë janë lentet e kontaktit “smart”, për të monitoruar diabetin që godet një person në 19 në mbarë botën.

Frut i GoogleX, laboratori për projekte si balonat aerostatike për të sjellë sinjalin wi-fi, për momentin lentet janë një prototip në fazë testi.

E përfshirë në projekt është edhe FDA-ja, agjencia qeveritare amerikane për mbikëqyrjen e tregtimit të ushqimeve dhe mjekimeve.

Lentja përdor një qark të vogël wireless dhe një sensor glukoze në miniaturë, të instaluar mes dy shtresave të saj.

Kompania deklaron se po punon edhe për integrimin e disa dritave LED, që do të ndriçojnë për të treguar se niveli i glukozës ka kaluar kufirin e duhur.

“Është ende herët për këtë teknologji, por ne kemi kompletuar disa studime që po na ndihmojnë të përcaktojmë prototipin tonë”, thotë Google në një njoftim në blogun e saj.

“Ne shpresojmë se një ditë kjo lente do të sjellë një mënyrë të re kujdesi për njerëzit me diabet”, thuhet më tej në njoftimin e publikuar online. 

Top Channel