“Ndihmoni Hollande”, loja e re në ueb

15/01/2014 00:00

Në ueb është bërë shumë e famshme loja “Ndihmoni Hollande”. Loja është e thjeshtë: presidenti francez Francois Hollande, duhet të driblojë me motor të dashurat dhe paparacët.

Me ndihmën e “mouse”-t, duhet të klikosh mbi motor për ta spostuar.

Kliko këtu për të luajtur.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e martë, Hollande foli shumë pak për skandalin që e ka përfshirë ditët e fundit: “Çështjet private duhet të zgjidhen privatisht”

Të gjithë pohimet e Hollande-t për çështjen pikante të zbuluar nga revista “Closer”, u përmblodhen tek pretendimi se po kalon një moment të vështirë në jetën private.

“Në jetet e tyre personale, të gjithë përballen me gjyqe. Ky dhe rasti ynë këtu. Janë momente të dhimbshme, por unë kam një parim: që këto momente të trajtohen privatisht dhe të respektohet intimiteti i tjetrit”, tha Hollande.

Presidenti francez refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve mbi lidhjen me 41-vjecaren Julie Gayet, për të respektuar siç tha, të gjith personat e përfshirë në këtë çështje dhe fokusin e takimit me gazetarët e ktheu tek ai që ishte qëllimi kryesor i konferencës së planifikuar prej kohësh: paraqitja e politikave që do të ndihmojnë ekonominë e ngadalësuar të vendit.

Zhurma për lidhjen e presidentit francez, Francois Hollande me aktoren Julie Gayet sa vjen e bëhet më e madhe, madje tashmë në valle futet edhe mafia. Mediat franceze ditët e fundit flasin për një lidhje të tërthortë, ndoshta të pavullnetëshme të presidentit Holland me mafian famëkeqe korsikane. Sipas tyre, vendtakimi i presidentit 59-vjeçar me aktoren 41-vjeçare është një hotel vetëm pak metra larg pallatit presidencial.

“Le Parisien” dhe portali online “Mediapart” shkruajnë se apartamenti është marrë me qira nga Emmanuelle Hauck, një mikeshë dhe kolege e Gayet, e njohur për lidhjet e saj romantike me eksponentë të mafias korsikane, të dënuar nga drejtësia apo të ekzekutuar nga grupet rivale.

“Le Parisien” shkon më tej kur flet për një traditë të vizitave të presidentëve francezë në këtë ndërtesë, duke u zhvendosur pas në kohë deri tek ish-presidenti Jacques Chirac që e përdorte atë për takime private që duhet të mbeteshin sekret.

Pas publikimit të lajmit për lidhjen, vetë presidenti Hollande deklaroi se po shqyrton mundësinë të padisë revistën “Closer” që e botoi e para lajmin, por pa mohuar dhe as pohuar ekzistencën e lidhjes.

Megjithatë, pavarësisht skandalit popullariteti i Hollande mbetet në të njëjtat nivele minimale, duke u vërtetuar si presidenti më pak popullor që pas Luftës së Dytë Botërore. Opozita e djathtë deklaroi se “nuk komenton jetën private të presidentit, por tha se të shpenzosh kohën në të tilla aventura në një kohë të vështirë ekonomike për vendin, sigurisht që s’është një vendim i zgjuar”.

Top Channel