Arvizu takon Berishën, shkrihen akujt

15/01/2014 00:00

Mes Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili është në fund të mandatit të tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, duket se është rikthyer normaliteti në komunikim.

Ata nuk ishin takuar prej kohësh, por acarimi më i dukshëm publik ndodhi gjatë protestave kundër armëve kimike, kur Ambasadori Amerikan la të kuptohej se Partia Demokratike ishte ende nën drejtimin e Sali Berishës dhe jo të Lulzim Bashës.

“Unë po flisja për Uashingtonin që më kërkonte që të përcillja këtë, dhe fakti që kjo gjë nuk u përmbajt sot, sugjeron që ata ose harruan dhe zgjodhën ta injoronin, ose a është ai (Lulzim Basha) vërtet në krye të Partisë Demokratike? Nuk e di se cila është më shqetësuese”, deklaroi në Top Story-n e 14 nëntorit ambasadori Arvizu.

Për këtë Aleksandër Arvizu mori përgjigje pak ditë më vonë.

“Unë them se ato janë cështje jodinjitoze të shtruar. Pyetja që shton është një pyetje shumë e pamend e një diplomati që i lejon vetes të bëjë një pyetje të tillë”, tha në një takim me gazetarët pesë ditë më vonë, ish-kryeministri Berisha.

Ftohja mes Sali Berishës dhe Aleksandër Arvizut u theksua edhe më shumë kur zyrtari i Departamentit të Shtetit Xhonatan Mur vizitoi Tiranën. Ambasadori e shoqëroi zotin Mur tek Lulzim Basha, por jo tek Sali Berisha.

Megjithate, duket se akulli është thyer nga vetë Ambasadori Arvizu, i cili sipas burimeve të Top Channel ka kërkuar të njihet me pikëpamjet e ish-kryeministrit për situatën në vend.

Qëndrimet e Sali Berishës nuk janë aspak surprizë dhe të panjohura. Ish-kryeministri Berisha bën përgjegjës qeverinë Rama-Meta se nëpërmjet keqqeverisjes dhe mosrespektimit të shtetit ligjor po dëmton integrimin europian të vendit.

Duke theksuar vendosmërinë e opozitës në favor të cdo hapi që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian, zoti Berisha shprehu shqetësimin se qeveria po shkon kundër përmbushjes së standardeve për integrimin europian të vendit.

Të tilla lëvizje, ish-kryeministri përmendi shkarkimet në administratën publike dhe emërimet në poste kyçe në polici, statistika dhe prokurime publike të militantëve partiakë. Zoti Berisha i tha Ambasadorit Arvizu se qeveria po bën presion edhe mbi insitucionet  e pavarura, përfshirë gjykatat e vendit, ku sipas tij ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit ose edhe nga vetë kryeministri Rama.

Për ish-kryeministrin Sali Berisha në këta muaj është faktuar se qeveria po shkon në një drejtim që jo vetëm po dëmton integrimin europian të vendit, por po minon dhe po vë në pikëpyetje themelet e shtetit demokratik.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta