Shqipëria, destinacion i radhës

14/01/2014 00:00

Shqipëria mund të konsiderohet si destinacion shumë i mirë për t’u vizituar gjatë vitit 2014. Prestigjiozja amerikane “New York Times” ka bërë një renditje të 52 vendeve që nuk duhen humbur pa u parë, ku bregdetin shqiptar e ka vendosur në vendin e katërt.

Për secilin nga këto vende, gazeta ka dhënë karakteristikat kryesore duke e klasifikuar vijën tonë bregdetare si një destinacion të paeksploruar: “Po sikur të mund të kombinoni bukurinë e thyer që do të gjeni në bregdetin dalmat të Kroacisë me rrënojat e pazbuluara të Turqisë dhe Greqisë, me natyrën e butë karakteristike të zonave rurale të Italisë, me një çmim shumë më të lirë se zakonisht? Patjetër që kjo mund të ndodhë në bregdetin e Shqipërisë”, shkruan gazetari Tim Neville.

Në një lidhje me emisionin “Pasdite në Top Channel”, gazetari Tim Neville deklaroi se nga Shqipëria i la mbresa në çdo gjë: “Më impresionoi gjithçka. Peisazhi ishte fantastik, kultura shumë e pasur dhe mund të krijoje lidhje personale me njerëzit në vendet ku vizitoje. Kam kaluar shumë mirë në Shqipëri.”

Ai këshilloi që të investohet shumë tek turizmi pasi Shqipëria nuk ka asgjë më pak se fqinjët e saj: “Duhet investuar tek ruajtja e mjedisit dhe natyrës. Shqipëria ka shumë mundësi, sidomos në bregdet. Nuk keni asgjë më pak se Kroacia apo Italia.”

Ndërkohë, në vend të parë “New York Times” ka klasifikuar Kejp Taun në Afrikën e Jugut, në vend të dytë Kristçërç në Zelandën e Re, ndërsa në vend të tretë Bregun Verior të Kalifornisë.

Më herët faqja shumë e klikuar në internet, “Huffington Post”, e zotëruar nga publicistja amerikane Arianna Huffington, ka bërë gjithashtu një artikull për vendin e shqiponjave. Në të thuhet se “vendi i vogël në juglindje të Europës është parë si një destinacion nga mediat ndërkombëtare. Me sa duket, ajo çfarë i josh më shumë të huajt është natyra e Shqipërisë, historia e saj, zhvillimi i vrullshëm politiko-social”.

Një tjetër klasifikim është bërë gjthashtu nga msn.com. Sipas renditjes, qyteti i Prizrenit ndodhet në mesin e 23 vendeve më të bukura në botë. “Lumi Bardh rrjedh nën urën 500-vjeçare të gurit në qytetin e Prizrenit në Kosovë”, është përshkrimi që i është bërë fotografisë panoramike të Prizrenit. Në mesin e 23 vendeve të ndryshme të Botës, Prizreni radhitet në vendin e nëntë.

Klasifikimet na japin një pasqyrë të bukurive natyrore, por a jemi ne të gatshëm ta kthejmë turizmin në pikën tonë të fortë?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA