PD: Qeveria shkel edhe aktin e saj antikushtetues

14/01/2014 00:00

Partia Demokratike ka vijuar edhe të martën akuzat për shkarkimet në
administratë. Në një dalje publike, deputeti Oerd Bylykbashi ka akuzuar
qeverinë Rama se po shkel edhe aktin e saj antikushtetues, duke emëruar
militantë.

“Tashmë është fakt i njohur botërisht se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar aktin normativ me të cilin Qeveria Rama-Meta shtyu për në datën 1 prill 2014 hyrjen në fuqi të ligjit të ri për nëpunësin civil.

Por qeveria vazhdon shkarkimet e nëpunësve dhe rekrutimet e paligjshme të militantëve socialiste sipas këtij akti normativ anti-kushtetues, dhe ne i kujtojmë kësaj qeverie se, që nga data 1 janar 2014, edhe sipas aktit normativ, ndalohet çdo rekrutim sipas ligjit të vjetër”, theksoi Bylykbashi.

Sipas tij neni 68, pika 1 të ligjit të ri shprehet se ky ligj përcakton se: ”Asnjë procedurë e re e plotësimit të një vendi të lirë, nuk fillon 3 muaj përpara datës së shtrirjes së efekteve të këtij ligji.

Sipas aktit normativ anti-kushtetues, ligji i ri hyn në fuqi më 1 prill 2014 dhe sipas nenit të mësipërm, duke filluar nga 3 muaj para 1 prillit, pra duke filluar nga data 1 janar, nuk mund të bëhet asnjë rekrutim i ri sipas ligjit të vjetër.

Edhe truku që kjo qeveri përdori në shkelje të Kushtetutës, duke filluar nga data 1 janar 2014, nuk funksionon më. Çdo vend vakant tashmë mund të plotësohet vetëm me procedurat e ligjit të ri të nëpunësit civil”, tha ai.

Sipas PD-së çdo punësim i ri pas datës 1 janar 2014 është absolutisht i pavlefshëm, është nul, dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik.

“Sigurojmë të gjithë nëpunësit civilë të shkarkuar pas datës 1 tetor 2013 se edhe këto shkarkime do të shpallen nul dhe absolutisht të pavlefshme, sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj.

Si pasojë e kësaj dispozite ndaluese taksative, çdo largim pas datës 1 janar shkakton boshllëk të paligjshëm në ushtrimin e funksioneve të administratës sepse askush nuk mund të zërë vendin e zbrazur”, tha Bylykbashi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta