Elefanti sulmon automjetin (VIDEO)

14/01/2014 00:00

Një video tronditëse që qarkullon në internet tregon momentet e tmerrit të kaluar nga dy turistë përballë çmendurisë së një elefanti në Parkun Kruger në Afrikën e Jugut.

Pamjet janë filmuar nga një tjetër vizitor i parkut. Aty shihen dy turistët, Sarah Brooks dhe Jans de Klerk që me automjetin e tyre nuk respektojnë distancën e sigurisë ndaj elefantit, edhe pse ky i fundit paralajmëroi duke rrahur shpesh veshët, që sipas specialistëve është shenjë që tregon zemërimin e tyre.

Pavarësisht kësaj apo nga mungesa e përvojës, cifti i vizitorëve as ndaloi automjetin dhe as u kthye pas, biles në një moment u përpoq të kalonte rrugën. Elefanti kthehet dhe i afrohet makinës. Për ciftin është tepër vonë largimi. Kafsha e stërmadhe nis të godasë automjetin duke e përmbysur atë jashtë rruge.

U desh ndërhyrja e punonjësve të sigurisë që vranë elefantin për të shpëtuar jetën e dy turistëve. Sarah mbeti e plagosur lehtë në shpatull, ndërsa Jans de Klerk shpëtoi pa pasoja.

Por fundi i lumtur për ciftin e vizitorëve dhe i hidhur për elefantin ka ngjallur reagimin e shoqatave dhe organizatave të mbrojtjes së kafshëve dhe debate të shumta në internet. Drejtuesit e parkut kanë mbrojtur vendimin e tyre për asgjesimin e kafshës duke deklaruar se i njëjti mamal ishte shndërruar problematik me agresivitetin e tij. Ata thanë se në një rast, ai kishte vrarë një tjetër elefant në një betejë dominimi dhe se në shumë raste elefanti kishte sulmuar edhe automjetet me turistë duke vënë seriozisht në rrezik jetën e tyre.

“Për ne parësore është siguria e vizitorëve tanë, sidomos në prag të sezonit të fluksit të turistëve”, thuhet në deklaratën e autoritetit menaxhues të parkut Kruger.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA