“Statusi, prisnim vendim realist”

10/01/2014 00:00

Në pritjen e fillimvitit për trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani vlerësoi zgjedhjet e Qershorit 2013, ndërsa tha se qeveria Rama paraqiti një program ambicioz reformash, me synim përafrimin e standardeve tona me ato europiane në çdo fushë.

Por, ai foli edhe për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat, Dhjetorin e shkuar.

“Shqiptarët prisnin një vlerësim më realist, që do të shërbente edhe si një stimul inkurajues për më tej. Pavarësisht nga rekomandimi i Komisionit dhe rezolutës mbështetëse të Parlamentit Europian, Këshilli Europian nuk i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Megjithatë, qytetarët shqiptarë dhe përfaqësuesit e tyre politik dhe institucionalë nuk kanë asnjë dilemë, se integrimi europian mbetet për ta përparësi e padiskutueshme, pa alternativë konkurruese. Shqiptarët janë qytetarë europianë dhe, si të tillë, pretendojnë dhe meritojnë të jenë europianë me të gjitha efektet.

Ne duhet të vijojmë e të provojmë se jemi sa të përgjegjshëm, aq dhe të gatshëm dhe të aftë, që të plotësojmë të gjitha kushtet dhe të kryejmë të gjitha detyrat për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët strategjik: anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh Bujar Nishani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA