Mes diskutimeve që po zhvillohen për shkrirjen dhe riformatimin e Gardës së Republikës dhe kalimin e saj si drejtori e veçantë në Policinë e Shtetit, vetë garda ka dorëzuar dy drafte pranë Ministrisë së Brendshme.

Në variantin e parë, Garda e Republikës kundërshton idenë e kalimit nën vartesi të Policisë së Shtetit dhe sugjeron që të vijojë të qëndrojë në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Por jo si më parë.

Në projekt garda propozon ristrukturimin rrënjësor si në strukturë edhe në emërtese. Emri i sugjeruar është ndryshimi nga Garda e Republikës në Drejtoria e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta.

Sa i përket strukturës, garda propozon që të krijohen edhe struktura të reja që nuk ekzistojne brenda saj, të domodsodshme për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë.

Risitë janë të tilla si, ngritja e sektorit kundër akteve terroriste ndaj objekteve të rëndësisë së veçantë dhe ai ndaj atentateve ndaj personaliteteve të larta të vendit dhe të huaja që vizitojnë vendin tonë.

Ky sektor sugjerohet të ketë primare grumbullimin e informacionit kriminal, parandalimin por edhe zbulimin e dokumentimin në kohë të veprimtarive kriminale ndaj PLSH, duke iu bashkangjitur në këtë mënyrë për herë të parë në veprimtarinë hetimore strukturave të tjera.

Gjithashtu, projekti në versionin e parë parashikon krijimin e sektorit të sigurisë së personelit, për të gjithë ata që rekrutohen pranë Drejtorisë së Sigurisë së PLSH.

Argumenti pse kundërshtohet kalimi në vartësi të policisë ka lidhje me përvojën ekzistuese të Gardës së Republikës, eksperiencat e huaja ku spikasin modeli europian dhe ai amerikan, sipas të cilëve personalitetet nuk ruhen as nga policia dhe as nga ushtria, por nga një strukturë tërësisht e pavarur.

Në variantin e dytë, një version i zbutur, garda bie dakord me kalimin në vartësi të Policisë së Shtetit, por me një kusht, që të mos përqendrohen të gjitha kompetencat tek një funksion i vetëm, pra në dorën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Por ndërsa diskutimi do të vazhdojë, burimet i thanë Top Channel se gjatë këtij muaji Garda e Republikës do t’i nënshtrohet një testimi profesional dhe fizik, duke parashikuar lirimin nga detyra për çdo punonjës që nuk kalon testin.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta