Pa u ngritur ende komisioni ad hok me bashkëkryesim mazhorancë-opozitë për reformën e re territoriale, demokratët kanë shprehur qëndrimin kundër.

Opozita kundërshton uljen në tryezë me mazhorancën mbi një draft të parapërgatitur nga qeveria, duke kërkuar hartimin e tij nga të dyja palët në komision.

Por Ministria e Pushtetit Vendor deklaron se puna e bërë deri tani e rreth 15 ekspertëve vendas dhe të huaj, në konsultim me grupet e interesit është vetëm një analizë e situatës për të nxjerrë alternativat më të mira dhe se të gjitha opsionet janë të hapura për t’u disktuar në komisionin dypalësh. “Është hartuar vetëm një grup kriteresh fleksibël për t’u disktuar në komision”, sqaron Enea Hoti, këshilltar i MPV.

Ndërsa për ish-këshilltarin e kryeministrit Berisha për territorin, Flamur Kuçi, konsultimi duhet të ishte më i gjerë sesa kaq. “Procesi ka nevojë jo për konsensus me palët, por me publikun së pari. Nëse qytetarët s’janë dakort, atëherë reforma ka rënë”, thotë Kuçi.

Ministria e Pushtetit Vendor sakaq kundështon duke i quajtur spekullime shifrat e publikuara të numrit të njësive vendore që do të krijohen, pasi gjithçka do të jetë kompetencë e komisionit dypalësh. Kjo ministri garanton se palët politike janë njësoj aktorë në këtë reformë të rëndësishme.

“Kemi ftuar shoqatën e bashkive të drejtuara nga zoti Basha të ishte pjesë e disktutimeve të rëndësishme, por nuk kanë qenë prezent dhe s’na janë bërë të ditura arsyet. Por opsionet janë të hapura të gjitha, aksesi është njësoj për të dyja palët”, nënvizon Hoti.

“Diskutimi duhej të niste me një analizë të situatës, ndërsa po duket se palët po shkojnë te zgjidhja dhe sa kohë që të dyja do ta përdorin për qëllime politike, reforma s’dp të ketë sukses”, pretendon më tej Kuçi.

Kjo është tentativa e dytë e politikës shqiptare për të bërë një ndarje të re administrative, pas dështimit të një përpjekjeje të tillë në vitin 2002.

Por këtë herë janë organizmat ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Europës, Organizata Suedeze për Zhvillim, Organizata Zvicerane, USAID e të tjerë partnerë që janë përfshirë drejtpërdrejtë në asistencën teknike dhe financiare për reformën, që prej disa vitesh në progres-raporte konsiderohet si nevojë emergjente për vendin.

Ky nënvizim është pranuar nga të gjitha palët politike, por ajo që mesa duket po shkakton hezitim është realizimi i ndarjes së re të territorit një vit përpara zgjedhjeve vendore. Miratimi i saj kërkon 84 vota, që mazhoranca aktuale i ka.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta