
Vit i ri, fillim i ri. Bashkëthemeluesi i Twitter, Biz Stone lançon një rrjet të ri social që synon të sfidojë Google.
Bëhet fjalë për Jelly, që pas disa muajsh përgatitje të fshehtë dhe një raund të suksesshëm financimesh nga donatorë si Bono Vox i U2 dhe Al Gore është gati të hyjë në jetët tona.
Jelly është një aplikacion dhe njëkohësisht një platformë interneti, që bën kërkime duke shfrytëzuar fotot, që tashmë janë një fiksim i vërtetë në jetën dixhitale, si dhe një rrjet për miqësi virtuale.
“Jelly ndryshon mënyrën se si bëjmë kërkimet. Të kesh përgjigje nga personat është shumë ndryshe sesa t’i kesh nga një alegoritëm”, sqaron Biz Stone në blogun e Jelly.
Aty ai citon edhe një frazë të famshme të Albert Einstein: “Informacioni nuk është dituri, i vetmi burim diturie është eksperienca”. Në këtë mënyrë ai nënvizon se, ndryshe nga motorët e kërkimit më tradicional, modeli i ri bazohet tek njohuritë dhe eksperiencat e përdoruesve.
Si funksionon Jelly? Duke përdorur videokamerën e një smartfoni bëhet një foto dhe më pas përmes gishtit caktohen pjesët për të cilat përdoruesit duan informacion. Më pas imazhi postohet i shoqëruar nga një pyetje drejtuar grupit të miqve por edhe përdoruesve të tjerë të rrjetit social.
Duke qenë se është i lidhur me profilet përkatëse në Twitter dhe Facebook, aplikacioni u mundëson kontakteve tona t’u përgjigjen pyetjeve apo t’ia përcjellin ato miqve të tjerë. Aplikacioni është gati si për iPhone ashtu edhe për dispozitivë me sistem operativ Android.
Top Channel