“Do të mbështesim protestat”

09/01/2014 00:00

Në përvjetorin e 23-të të krijimit të degës në qytetin e Fierit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi qeverinë se e ka shtyrë ekonominë pranë humnerës, duke vendosur – sipas tij – financat e shqiptarëve dhe familjeve të tyre në kufijtë e mbijetesës, e duke përgatitur recesionin dhe krizën.

Sipas Bashës, në sfond duken protesta dhe Partia Demokratike nuk do t’i lërë qytetarët vetëm.

“Përkeqësim në rend, përkeqësim në ekonomi, përkeqësim në perspektivë.  E ndiejmë se një frymë revolte po ngrihet, revoltë kundër mashtrimeve elektorale, revoltë kundër çmimeve, kundër shtrenjtimit të jetesës, kundër pasigurisë, kundër mungesës së perspektivës. Të mos mendojë njeri se ne, Partia Demokratike e Shqipërisë, opozita shqiptare, do të lejojmë që kriza të zërë poshtë vendin e t’iu marrë frymën shqiptarëve, pa treguar një për një përgjegjësinë e atyre që e kanë kurdisur, me arrogancën e tyre karakteristike, këtë krizë. Të mos mendojë njeri se ne, Partia Demokratike, do t’i lemë qytetarët vetëm, pa mbështetje, viktima të çmimeve stratosferike, viktima të papunësisë, viktima të arrogancës qeveritare”, theksoi Basha.

Basha u tha demokratëve në Fier se ringritja e PD duhet të fillojë pikërisht këtu.

“Të hapim partinë, të integrojmë në parti të gjitha grupet, shtresat dhe ndjeshmëritë. Përfshi ato individuale, që duan të kontribuojnë në Partinë Demokratike, që rezonojnë me vlerat e saj popullore dhe intelektuale”, deklaroi Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta