PD: Tahiri gënjen për krimin; reagon MPB

06/01/2014 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se ka
manipuluar statistikat e krimit në vend. Deputeti Ristani ka bërë nje
krahasim mes të njëjtave periudha të një viti më parë.

“Heroinë e sekuestruar në shtator-nënëtor 2012, 33 kilogramë, në kohën e lavdishme të Tahirit 8 kilogramë, ose katër herë më pak; aksidente me pasojë vdekjen shtator-nëntor 2012, 57, në kohën e lavdishme të Tahirit, 83; aksidente gjithsej shtator-nëntor 2012, 398; kundrejt 530 të ndodhura në kohën e lavdishme të ministrit të Tahirit, tre vrasje të zbuluara në periudhën shtator-nëntor 2012, kundrejt 7 të pazbuluara në kohën e ministrit Tahiri”, tha deputeti demokrat Arben Ristani.

Sipas Partisë Demokratike, Qeveria aktuale po kerkon t’u hedhe hi syve qytetareve me shifra krimi te rreme qe nuk pasqyrojne aspak realitetin


MPB: PD të heqë dorë nga retorika për rendin

Transparencë për shifrat e kriminalitetit në vend

Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pasditen e së hënës ndaj akuzave të PD për manipulim të shifrave të kriminalitetit, duke shprehur angazhimin e saj për një transparencë sa më të madhe.

Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Brendshme i ka bërë thirrje opozitës që të heqë dorë nga retorika politike që përdor në lidhje me rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë.

“Dezinformimi publik me synim ngjalljen e panikut tek qytetarët nuk i shërben as sigurisë publike, as reformimit dhe forcimit të mëtejshëm të Policisë së Shtetit e aq më pak shëndoshjes politike të kujtdo partie politike”, thotë Ministria e Brendshme në komunikatën e saj.

Në të njëjtin dokument, dikasteri i drejtuar nga ministri Saimir Tahiri përmend shifrat e kriminalitetit për muajin dhjetor, duke vënë në dukje se:

Vrasjet janë ulur me 55% krahasuar me dhjetorin e 2012; janë kapur 29% më tepër persona në kërkim se në dhjetor 2012;

Ka 55% më shumë proçedime penale në luftën kundër drogës dhe 60% më shumë autorë të proçeduar;

Janë regjistruar 167% më shumë proçedime penale në lidhje me trafiqet e paligjshme dhe ka 168% më shumë autorë të proçeduar;

Ka 142% më shumë procedime penale për krime ekonomike dhe korrupsion, si dhe 116% më shumë autorë të proçeduar;

Janë ulur me 38% aksidentet me pasojë vdekjen, me 13% aksidentet në total, me 20% aksidentet me plagosje të rënda dhe janë ulur me 8% ato me plagosje të lehta;

Treguesit janë 45% më të lartë sa u përket veprave penale të lidhura me dhunën në familje dhe 46% më të lartë sa u përket autorëve të proçeduar;

Treguesit janë rreth 27 herë më të lartë sa u përket veprave penale të lidhura me ndërtimet pa leje dhe rreth 20 herë më të lartë sa i përket autorëve të proceduar;

Treguesit janë rreth 38 herë më të lartë sa i përket veprave penale të lidhura me prerjen ilegale të pyjeve dhe rreth 42 herë më të lartë sa u përket autorëve të proçeduar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta