Dushi si një mënyrë për t’u zbukuruar

06/01/2014 00:00

Një dush i mirë na “kthen” në tokë. Uji që na njom kokën dhe trupin na ndihmon që të zgjohemi, të çlodhemi, të tonifikohemi, ndërsa i jep “vrull” fizikut tonë dhe në shumë raste edhe ditëve tona.

Bërja e dushit nuk është vetëm higjienë personale, por edhe rivitalizim i përgjithshëm i trupit. Gjithashtu ai është si një oaz mirëqenie me zero kosto (ose pothuajse) që na ndihmon të përballojmë më mirë një ditë të lodhshme ose edhe të bëjmë një gjumë mjaft të mirë. Me pak fjalë, dushi mund të kurojë trupin tonë:

Flokët

Janë të parët që lagen, kështu që përpara së gjithash dedikohuni atyre. Lajini ata me kujdes. Pas dushit aplikoni një maskë hidratuese dhe ushqyese. Avulli që del nga uji i nxehtë i lejon maskës që të depërtojë në thellësi dhe gjithashtu të kryejë veprimin e saj me një efikasitet të madh. Ndërkohë, në fund fare shpëlajini flokët me ujë të vakët.

Këmbët

Pasi i keni tharë, masazhoni me forcë lëkurën e këmbëve me një dorezë të posaçme, që ndihmon mikroqarkullimin. “Operacioni” duhet të kryhet nga poshtë-lart, me lëvizje të vogla rrethore dhe të shpejta. Drejtojeni ujin e freskët nga kyçi i këmbës deri lart për të stimuluar qarkullimin dhe për të eliminuar ndonjë stres të muskujve.

Gjinjtë

Rrotullojeni rubinetin nga uji i ftohtë dhe drejtojeni kokën e dushit drejt gjinjve për pak sekonda. Këtë duhet ta përsërisni tri herë. Pasi t’i thani aplikoni mbi ta një produkt forcues.

Barku

Përhapni mbi bark dhe mbi ije baltë kundër celulitit dhe më pas mbulojini ato me një plastmasë transparent. Drejtojeni kokën e dushit me ujë të vakët me lëvizje “ulje-ngritje” për rreth tre minuta. Më pas hiqni plastmasën dhe pastrojeni me një sfungjer të lagur. Plotësojeni “operacionin” me një dush të mirë të ftohtë.

Fytyra

Për ata/ato që vuajnë nga aknet është e rekomandueshme që të aplikojnë mbi fytyrën e pastruar një maskë me argjilë të gjelbër. Para se ajo të forcohet, drejtojeni kokën e dushit me ujë të vakët mbi lëkurë për një minutë, duke qëndruar më shumë në zonën midis vetullave dhe hundës. Çdo tepricë hiqeni me një peshqir sfungjer të lagur dhe pas dushit aplikoni një krem të veçantë.

Një banjë e nxehtë gjatë mbrëmjeve të dimrit është më se e nevojshme

Gjatë stinës së dimrit, bërja e dushit preferohet shumë. Nxehtësia shkakton djersitje, po ashtu edhe uji më i nxehtë se temperatura e trupit i hap poret dhe e than lëkurën. Pas bërjes së dushit apo banjës së pjesshme, thajeni lëkurën lehtazi me peshqir, duke e lënë pak fare të lagët apo të butë. Në mënyrë që të pengoni avullimin e lagështisë nga poret e hapura, po ashtu edhe tharjen e lëkurës, përdorni menjëherë një locion ushqyes për trupin, i cili nuk duhet të jetë i yndyrshëm. Njëri nga mitet dimërore kozmetike thotë se, gjatë dimrit, më të preferuar janë locionet e yndyrshme, kremoze, por edhe ato më të buta apo edhe të payndyrshme. Rëndësi ka që janë njësoj efikase, thonë ekspertët. Locionet e yndyrshme parandalojnë avullimin e lagështisë, kurse përbërësit e fuqishëm të locioneve të buta e fusin lagështinë në lëkurë, duke rregulluar njomjen e shtresës së jashtme të saj. Lëkura e njerëzve që rri një kohë të gjatë jashtë gjatë dimrit, në të shumtën e rasteve nuk është e thatë dhe e dehidratuar, thotë dermatologu amerikan Frederik Brandt. Tharja e saj haset më shumë te njerëzit që rrinë shumë në ambiente të ngrohta, duke qenë se nxehtësia e than lëkurën. Edhe pse pirja e ujit ruan lagështinë e lëkurës, teprimi me ujin e përshpejton nxjerrjen e lëngjeve nga trupi. Për këtë shkak, tharja e lëkurës duhet penguar duke ngrënë ushqime që ndihmojnë në njomjen e lëkurës. Bëhet fjalë për ushqime të pasura me thartira yndyrore omega-3, dhe sidomos për peshkun salmon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA