Gjykata e Lartë e Francës miratoi taksën prej 75% mbi të ardhurat vjetore të personave që fitojnë më shumë, një prej zotimeve të mëdha të presidentit Francois Hollande.
Propozimi fillestar u rrëzua gati një vit më parë nga Gjykata Kushtetuese e vendit. Por, qeveria e modifikoi draftin, në mënyrë që ta bënte më të pranueshëm, duke përcaktuar edhe personat që preken nga masa në fjalë: ata me rrogë mbi 1 milionë euro.
Kjo taksë do të mblidhet për dy vjet dhe prek të ardhurat e siguruara këtë vit dhe gjatë 2014-s.
Klubet e futbollit në Francë protestuan muaj më parë ndaj një lëvizjeje të tillë, me argumentin se rrezikon t’i dëmtojë akoma më shumë klubet financiarisht të brishta dhe të shkaktojë një eksod të lojtarëve kryesorë, që paguhen me shifra marramendëse.
Paris Saint Germain, e sponsorizuar nga Katari, ka më shumë se 10 lojtarë, pagesat e të cilëve i kalojnë 1 milionë eurot, përfshirë sulmuesin suedez Zlatan Ibrahimovic.
Të indinjuar shprehen edhe biznesmenë e pasanikë, që e kundërshtojnë ashpër taksën, siç ishte aktori i famshëm Gerard Depardieu, që në shenjë proteste vendosi të largohet nga vendi, e të jetojë në Rusi.
Por, sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e francezëve e mbështesin taksën e përkohshme. Në ndryshim nga vende të tjera të Europës, Franca synon ta ulë defiçitin e madh buxhetor duke rritur taksat, e duke shkurtuar shpenzimet.
Taksa më e lartë në Britani është 45% dhe aplikohet vetëm mbi individë të caktuar.
Top Channel