Vizita në Emiratet e Bashkuara Arabe, kryeministri Rama ndan pamje nga takimet në Abu Dhabi Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, ka akuzuar mazhorancën qeverisëse se “ka frikë të hetohet dhe të japë llogari për zbardhjen e manipulimit që ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”
“Mazhoranca Rama-Meta edhe pse ka vetëm 100 ditë që ka marrë pushtetin, ka frikë të hetohet dhe të japë llogari, dhe këtë e tregoi duke rrëzuar me forcën e kartonëve kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e manipulimit që ka ndodhur me të dhënat konfidenciale të qytetarëve shqiptarë, në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, deklaroi Tabaku.
PD-ja e ka përcaktuar si antikushtetues rrëzimin e kërkesës nga ana e mazhorancës: “Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor u bë nga 1/4 e deputeteve dhe në këto kushte, Kushtetuta përcakton se ngritja e tij është e detyrueshme. Rrëzimi i kërkesës është veprim antikushtetues.”
Tabaku vazhdoi më tej me akuzat: “Mësohet se skandali ëshë thelluar, pasi janë zhdukur pamjet filmike që vërtetojnë ndërhyrjen e disa personave në serverin qendror të Drejtorisë së Tatimeve. Rrëzimi me votë i kërkesës sonë shton edhe më shumë dyshimet se ndërhyrjet e paligjshme në serverin e tatimeve janë bërë për interesa klienteliste e për favore politiko-ekonomike.”
Top Channel