Aleanca e Grave Deputete e kurorëzoi themelimin e saj me një ceremoni të veçantë, të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë, në praninë e disa prej autoriteteve më të larta shtetërore, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të shoqërisë civile.

Kryetarja e Aleancës, Mesila Doda, e konsideroi këtë ceremoni një promovim të punës së grave deputete, punë e cila ka në fokus të saj pjesëmarrjen e gruas në politikë dhe role drejtuese, me fuqizimin ekonomik të gruas, si dhe me përballjen e fenomenit të dhunës në familje.

Kjo ishte një ceremoni, ku burrat e pushtetshëm, Edi Rama e Ilir Meta, ua lanë të gjithë vëmendjen grave deputete, të cilat firmosën një memorandum të propozuar nga kryetarja e Aleancës, Mesila Doda.

Ajo e konsideroi këtë si një akt, të barabartë me aktin e fillimit të një mënyre të re komunikimi dhe të promovimit të një kulture të re.

Anëtarja e kësaj Aleance, deputetja Arta Dade, tha se një nga gjërat më pozitive të qeverisë së kryeministrit Rama është fokusimi te promovimi i grave në vendimmarrje.

Pjesëmarrëse aktive në këtë ceremoni ishte edhe deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë, Kejdi Mehmetaj, e cila vlerësoi kontributin që kanë dhënë të gjitha gratë deputete, në jetën politike dhe në fusha të tjera.

Top Channel