Kreu i LSI-së, Ilir Meta e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e ish-kryeministrit Berisha ndaj mosmarrjes nga ana e Shqipërisë të statusit të vendit kandidat.

“Dëgjuam nga shtatori deri një ditë para se Holanda të vendoste veton se statusi ishte kontribut vetëm i PD, ne ishim përjashtuar fare edhe pse ishim pjesë e qeverisë, dhe se PD po ia bënte dhuratë statusin mazhorancës dhe Edi Ramës. Menjëherë sapo ndodhi kjo gjë, gjithçka u kthye në të kundërt”, deklaroi Meta.

Duke ruajtur të njëjtën vijë, zoti Meta e akuzoi ish-kryeministrin edhe për situatën e rëndë ekonomike në të cilën sipas tij la vendin. Rezultat ky, që sipas Ilir Metës erdhi si pasojë e politikave të gabuara ekonomike, që u kundërshtuan, siç ai tha, nga LSI në atë kohë në qeverisje.

“A mund të kundërshtohet akti për subvencionimin me 10 për qind për shtresat në nevojë, në mënyrë që ato të paguajnë më pak për ushqimin dhe energjinë? A mund të kritikohet mbështetja e qeverisë ndaj fermerit? Do ngrihet dikush kundër heqjes së taksës për biznesin e vogël dhe uljes së tatim-fitimit për të? Nuk jam i lumtur të pranoj se rritja e tatim-fitimit për biznesin e madh është një e keqe e domosdoshme. Në kushte normale kjo nuk duhet të ndodhte, por ne nuk jemi në këto kushte”, theksoi Meta.

Në analizën e 100 ditëve, kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se qeveria ka prioritet interesat e qytetarëve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të nivelit të tyre të jetesës.

Sipas tij, qeveria jo vetëm do të shlyejë të gjitha borxhet ndaj biznesit, por edhe do të ndërmarrë një sërë masash që do të shkojnë në favor të qytetarëve, siç është heqja e TVSH-së për ilaçet dhe të gjitha shërbimet shëndetësore.

Top Channel