“Statusi është vetëm çështje kohe”

18/12/2013 00:00

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë Helmut Hoffmann në një intervistë dhënë  gazetarit të Top-Channel Muhamed Veliu, shpjegon qëndrimin e vëndit të tij përse statusi duhej të shtyhej për në Qershor 2014.

Sipas kryediplomatit gjerman, nuk ka asnjë pikëpyetje për përpjekjet pozitive të qeverisë Rama, por thekson se për Gjermaninë dhe vëndet e tjera të BE-së, nëse do të kenë  më shumë kohë në dispozicion atherë edhe gjykimi do të jetë më real.

Muhamed Veliu: Zoti Ambasador cili është komenti juaj për vendimin e një dite më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së në lidhje me statusin e vendit kandidat të Shqipërisë?

Helmut Hoffman, Ambasador i Gjermanisë në Tiranë: Fillimisht mund t’ju them se dua të flas vetëm për Gjermaninë. Këshilla ime për Shqipërinë dhe popullin shqiptar është kjo; përqëndrohuni në lajmin e mirë nga mbledhja e Këshillit të Ministrave. Për këtë unë shikoj dy baza thelbësore, së pari Ministrat e BE-së e kanë njohur progresin e qënësishëm që Shqipëria ka arritur drejt integrimit europian. Së dyti, që është më e rëndësishmja për t’u kuptuar, lidhet me atë që do të doja ta cilësoja si një datë operacionale e cila buron nga konkluzionet, pra mbledhja e ardhshme e këshillit në Qershor. Janë vetëm 6 muaj nga tani. Nëse gjërat zhvillohen pozitivisht gjatë kësaj periudhe 6-mujore atherë unë jam shumë i bindur që një vendim pozitiv do të merret. Kjo është e gjitha ku njerëzit duhet të përqëndrohen dhe jo të vrapojnë në nxjerrjen e konkluzioneve pasi mund të jenë të zhgënjyer nga mos dhënia e statusit tani.

Muhamed Veliu: Përse Gjermania e vuri veten e saj krahas katër vëndeve të tjera anëtare të BE-së të cilat mendonin për shtyrjen e shqyrtimit të statusit në Qershor 2014?

Ambasadori Hoffman: Më lejoni t’u them se jam duke lexuar spekulime nga më të ndryshmet që lidhen më BE-në, por nganjëherë e vërteta është tejet e thjeshtë. Ishin disa vende, mes tyre edhe Gjermania të cilët thanë se qeveria e re ka vetëm 3 muaj në detyrë. Në këtë kohë ne kemi parë zhvillime tejet poszitive të cilat njohim. Nuk asnjë pikëpyetje rreth kësaj. Por disa vënde u shprehën se është nevoja e pasjes më shumë kohë për të parë atë që njihet si “track record” për të parë zbatimin e tyre në praktikë, gjithashtu për ndjekur se si dialogu mes qeverisë dhe opozitës do të zhvillohet në Shqipëri në lidhje me reformat. Dua ta nënvizoj se ne kemi besim se nëse vijohet në këtë drejtim pozitiv deri në Qershor ju do t’ja dilni mbanë.

Muhamed Veliu: Cilat janë disa prej shqetësimeve të Gjermanisë që lidhen me proceset integruese të Shqipërisë?

Ambasadori Hoffman: Shqetësimet janë të njohura. Sic e shpjegova na duhet më shumë kohë të shikojmë se cdo të ndodhë me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Thënë në terma të përgjithshëm, si do të zhvillohet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Nëse do të kemi më shumë kohë në dispozicion athërë edhe gjykimi ynë do të jetë më real. Për qeverinë gjermane ishte me rëndësi përfshirja në konkluzione qartësisht e një afati, kjo jo vetëm për të mos lejuar  inkurajimin e zërave të zhurmshëm. Prandaj kërkuam vendosjen e një datë fikse. Kjo nuk ishte e lehtë për ta arritur, por tashmë që ndodhi jemi të gëzuar dhe mendoj se 6 muaj nuk është një kohë e gjatë. Kjo është një arsye e mirë për të qenë besimplotë prej këtij zhvillimi.

Muhamed Veliu: Është krijuar ideja se vendimi i djeshëm në Bruksel lidhet edhe me atë që është cilësuar si ‘albanofobi’. Sipas jush sa qëndron dicka e tillë?

Ambasadori Hoffman: Unë mendoj se termi ‘albanofobi’ është tepër i fortë. Cfarë është e vërtetë lidhet me punën që duhet të bëjë Shqipëria, me reputacionin gjë e cila lidhet me vështirësitë dhe një histori të gjatë. Por për këtë Shqipëria ka bërë progres. Mendoj se ishte dicka e mirë që shumë zyrtarë të qeverisë suaj vizituan kryeqytetet duke prezantuar Shqipërinë. Do t’i inkurajoja të vijojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen. Është e vërtetë që ka problem reputacioni, por është arritur progres.

Muhamed Veliu: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga Shqipëria deri në Qershor 2014?

Ambasadori Hoffman: Vijim i axhendës së reformave në të gjitha fushat. Kur flasim për reforma nuk vlejnë vetëm deklaratat e pafundme. Ajo që për ne merr rëndësi lidhet me implementimin e tyre në praktikë. Në interpretimin tim ky është mesazhi që vjen nga mbledhja e Këshillit të Ministrave. Nëse kjo ndodh atëherë, mund ta përsëris ,në Qershor do të arrihet një vendim pozitiv.

Top Channel