Statusi, BE jep sot vendimin për Shqipërinë

17/12/2013 00:00

Nis mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE, ku në rend të ditës është
edhe diskutimi i statusit të Shqipërisë si vend kandidat për anëtar.
Mbledhja parashikohet të zgjasë deri në mbrëmje dhe më pas do të ketë
një konferencë për shtyp për vendimit e marra.

I pyetur nga gazetarët para zhvillimit të mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE-së, ministri i Jashtëm holandez Frans Timermans theksoi se ende nuk është vendosur asgjë në lidhje me pozicionin që do të mbajë sa i përket statusit për Shqipërinë.

“Nuk kemi vendosur asgjë, do të flasim me kolegët tanë në Këshillin Evropian. Do të shohim qëndrimin për Shqipërinë, pasi të flasim me kolegët. Nuk kemi vendim as për hapjen negociatave të BE me Serbinë, por jemi optimist. Jam i gatshëm të bëj kompromis për më të mirën e mundshme” është shprehur ai për mediat.

I pyetur nëse do të jepet sot një përgjigje për statusin e Shqipërisë, Timermans theksoi se kjo do të ndodhë nëse ministrat e jashtëm të BE-së arrijnë një marrëveshje nëse jo atëherë vendimi do të merret nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian.

Më herët ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Karl Erjavec deklaroi se pret që e marta të jetë një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Serbinë, duke u shprehur optimist për mundësinë që vendi ynë të marrë sot statusin kandidat për në BE.

Ndërkohë para nisjes së mbledhjes, Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt deklaroi se: “Shpresoj të kemi një vendim pozitiv për Shqipërinë. Gjithsesi nuk jam i sigurt sepse e di që janë disa vende që kanë rezerva për këtë çështje. Nuk kam pasur ende ndonjë bisedë me Ministrin e Jashtëm të Hollandës, por mendoj të flas rreth Shqipërisë. Çështja është se Statusi Kandidat është një term jo shumë i qartë dhe për këtë arsye ndoshta ka konfuzione kur vjen momenti për të dhënë një gjykim. Fakti qëndron se gjykimi në këtë rast duhet të jetë objektiv, sepse Shqipëria ka bërë një punë të mirë duke filluar që nga zgjedhjet e fundit, të qershorit 2013 si dhe nisja e punës nga qeveria e re. Mendoj se Shqipëria duhet shpërblyer për këtë”.

Optimistë janë shprehur edhe ministrat e Punëve të Jashtme Finlandës dhe Luksemburgut. Kështu Alexander Stubb, Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme të Finlandës u shpreh se: “Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat”.

Ndërsa Jean Asselborn, Ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut theksoi se: “Mbështesim Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe shpresojmë të gjendet një zgjidhje deri në fund të javës kur mbyllet mbledhja e Këshillit”.

Tetë vende të BE letër Lituanisë: Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat

Tetë vende anëtare të Bashkimit Europian i kanë kërkuar Lituanisë si vend që mban Presidencën e radhës së BE si dhe Komisioneres së lartë për politikë të jashtme, Katherinë Ashton, që Shqipërisë ti jepet statusi i vendit kandidat.

Letra e firmosur nga Ministrat e Jashtëm të 8 vendeve të Unionit është dorëzuar një ditë para se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian të marrë vendimin për dhënien apo jo të statusit të vendit kandidat për vendin tonë.

Kryediplomatët e 8 shteteve, Italisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë , Irlandës dhe Sllovenisë shprehen të bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Letra vë në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme referuar procesit elektoral të 23 qershorit, hapa për të cilat ka marrë vlerësim edhe nga Komisioni Europian.

Tetë vendet që dalin krah Shqipërisë i bëjnë apel Bashkimit Europian se dhënia e statusin kandidat për vendin tonë do të inkurajonte Tiranën zyrtare për të punuar më shumë e për të mbajtur lart ritmin e reformave, ndërsa do të dërgonte një sinjal pozitiv e të fortë për vendet e tjera kandidate potenciale që puna e madhe që po bëjnë në këtë drejtim do të shpërblehet.

Top Channel