Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë pritet një klimë e ashpër përplasjesh. Të paktën këtë situatë paralajmëroi mbledhja e së hënës, në rendin e të cilës ishin parashikuar 12 çështje, ku më e nxehta prej tyre ishte emërimi i gjyqtarëve në gjykatën e klasifikuar si “gjykatë karriere”, atë të Tiranës.

Por ndërsa mbledhja u zhvillua pa praninë e medias, diskutimet kulmuan me bojkotimin e tryezës nga ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe anëtari më i ri i ardhur nga Kuvendi, Sokol Çomo.

“Unë u largova se nuk doja të bëhesha pjesë e kësaj farse. Mungesa e presidentit tregoi se çfarë do të ndodhte në këtë mbledhje. Mund t’i kërkoj falje KLD-së për bojkotin, por besoj se ajo ishte vetëm një farsë”, deklaroi Naço.

“Ky është një bojkotim për këtë mbledhje për të sensibilizuar se paligjshmëria ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Përderisa media nuk lejohet të hyjë në mbledhje të KLD-së, ne do të gjejmë rrugët e komunikimit me të, për të mos mbajtur të fshehura paligjshmëritë”, tha nga ana tjetër Çomo.

Ky është rendi i ditës për mbledhjen plenare të KLD. Pyetja “kush duhet të shqyrtohej më së pari, pika 3 apo pika 8” duket se i ndau anëtarët në dy kampe.

Fillimisht në pikën 3 KLD kishte vendosur të shqyrtonte kandidaturat e gjyqtarëve nga rrethet për plotësimin e 13 vendeve vakante në gjykatën e Tiranës.

Por ministri i Drejtësisë mendon se propozimi i tij, që ishte renditur i teti për t’u shqyrtuar në këtë mbledhje, ishte më i rëndësishëm se pika 3.

Me argumentin e promovimit të magjistratëve të dy viteve të fundit, të cilet pavarësisht se paguhen nuk janë emëruar ende si gjyqtarë, Naço akuzoi KLD-në se po bën “qoka” me gjyqtarët e rretheve.

“Nuk i kuptoj këto vendime të KLD për këta magjistratë. Ata duhet të jenë reformuesit e administratës së gjyqësorit dhe jo të marrin qoka prej tij”, theksoi Naço.

Në përfundim të mbledhjes maratonë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk doli dot me një vendimmarrje as për pikat 3 dhe tetë.

Top Channel