Basha: Po shkatërrohet administrata

14/12/2013 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, duke iu referuar vendimit të Gjykatës
Kushtetuese që rrëzoi Aktin Normativ të Qeverisë, tha se ky vendim i
hap rrugë hyrjes në fuqi të ligjit për statusin e Nëpunësit Civil.

Lulzim Basha deklaroi se po pergatitet nje nisme ligjore per te frenuar shkaterrimin e administrates publike nga Qeveria.

“Janë dokumentuar 1189 raste flagrante shkarkimesh të paligjshme, por numri total ka mbërritur, deri dje, në 4500 burra dhe gra, të rinj dhe të reja. Spastrime të paligjshme në administratën publike kanë vazhduar edhe dje, ku sipas njoftimeve Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka vendosur rrëzimin e Aktit Normativ të Qeverisë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për Nëpunësin Civil. Për rrjedhim anulimin e të gjithë efekteve që ky Akt, tashmë haptazi antikushtetues ka prodhuar gjatë këtyre tre muajve të Qeverisjes. Ne po përgatisim në paketë masash juridike dhe organizative për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që janë prekur padrejtësisht nga këto veprime antiligjore. I siguroj ata dhe mbarë opinionin publik se shkaktarët dhe përgjegjësit e këtyre veprimeve të paligjshme do të përgjigjen herët a vonë para ligjit. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që ata të përgjigjen sa më herët”, tha Basha.

Top Channel